Biberaj: Berisha të zgjidhet nga anëtarësia
ADI SHKEMBI
Kryetari i Partisë Demokratike duhet të zgjidhet sipas parimit ‘një anëtar një votë’. Anëtari i kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj propozoi dje përmes një deklarate për mediat ndryshimin e mënyrës se si zgjidhet kryetari i selisë blu, duke shtuar debatin brenda saj, pas propozimeve për ndarjen e posteve. Sipas statutit të PD-së, kryetari i partisë zgjidhet nga Kuvendi Kombëtar, ndërkohë që ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së lidershipit, do të kërkonte fillimisht ndryshimit e ligjit të funksionimit të PD-së. Sipas ish-deputetit demokrat: “Procesi i reformimit të PD-së duhet të fillojë të realizohet nëpërmjet analizave të hapura e realiste dhe debateve demokratike që duhet të zhvillohen nga baza e partisë deri në lidershipin e saj, nëpërmjet decentralizimit dhe ndarjes së mandateve, si dhe zgjedhjeve demokratike, duke u bazuar në konkurrencën e lirë dhe të ndershme, në konkurrencën e vlerave dhe të kontributeve, e alternativave dhe të programeve, konkurrencë që mund të realizohet nëpërmjet zbatimit të parimit ‘një anëtar, një votë’”, u shpreh Biberaj. “Është tepër e domosdoshme që PD-ja, 19 vjet pas themelimit të saj nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90, si dhe duke pasur parasysh faktin se tashmë jemi vend anëtar i NATO-s dhe aspirojmë për anëtarësim në BE, të ketë një lidership të zgjedhur me parimin ‘një anëtar, një votë’”, theksoi më tej anëtari i kryesisë së PD-së. Sipas tij aplikimi i parimit ‘një anëtar një votë’ për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, do të gjallëronte strukturat dhe do të rriste demokracinë direkte në parti. “Aplikimi i këtij parimi do të rriste ndjeshëm demokracinë dhe transparencën brenda partisë, do të çlironte shumë energji pozitive dhe do të krijonte një klimë bashkëpunimi dhe uniteti, gjë kjo tepër e domosdoshme për të përballuar sfidat e kohës, por dhe për të shmangur frymën klienteliste, klanorë apo nepotiste, që mbizotëron jo rrallëherë në politikën shqiptare”, tha më tej Biberaj.