E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Biletat i kam paguar me paratë e mira



Deputeti i PD-së, z. Aleksandër Biberaj, ka hedhur poshtë dje pretendimet e Kuvendit për shpenzimet e pamotivuara nga ana e tij si kryetar i delegacionit në Këshillin e Evropës. Duke i konsideruar shpifje të ulëta pretendimet e ngritura nga Topalli, ai sqaron se çdo udhëtim zyrtar i tij është i protokolluar dhe në data-base të Këshillit të Evropës. “ Fatkeqësisht, znj. Topalli është përpjekur sistematikisht gjatë këtyre 3 viteve të pengojë aktivitetet e z. Biberaj në Këshillin e Evropës, duke mos iu përgjigjur një sërë kërkesash dhe njoftimesh për takime zyrtare të KE-së, në përmbushje të detyrimeve zyrtare, që rrjedhin nga mandatet e z. Biberaj në KE. Shpenzimet për të cilat shpif znj. Topalli, janë takime zyrtare, të cilat z. Biberaj i ka përballuar me shpenzimet e veta, pasi znj. Topalli nuk është përgjigjur”, - thekson në deklaratën e tij deputeti demokrat. Ndërkohë, ai pranon se është i hapur dhe transparent për çdo lloj verifikimi të shpenzimeve. Madje shton: “Do të kërkoj ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të verifikuar këto shpenzime, por në të njëjtën kohë edhe të shpenzimeve për udhëtimet e znj. Topalli”.

Më parë, gjatë paradites, ishte ai i pari që hapi debatin me kryeparlamentaren duke e akuzuar atë për kalim të kompetencave pas letrës së dërguar KE-së, ku kërkohej zëvendësimi i tij me Ilir Rusmalin. Biberaj e quajti konspiracion të plotë dhe pa asnjë lloj transparence shkarkimin e tij nga kryesimi i delegacionit parlamentar në Këshillin e Evropës nga Jozefina Topalli. Ai akuzon kryetaren e Kuvendit se “ka shkelur në mënyrë flagrante rregulloren e këtij institucioni duke e anashkaluar atë dhe marrë kompetencat e tij”. Biberaj bën të ditur se është njoftuar nga mediat mbi kërkesën e Topallit për ta zëvendësuar atë me Ilir Rusmalin, aktualisht kryetarin e Komisionit të Ligjeve. Sipas tij, nënkryetarja e Partisë Demokratike ka marrë një vendim të tillë duke përjashtuar dhe grupin e PD-së me qëllim ndërprerjen e mandatit të tij në asamble, duke shënuar një precedent tepër të rrezikshëm. Lista e re e delegacionit shqiptar për në Strasburg do të votohet në një nga seancat e ardhshme plenare. Ndërkohë, në mbledhjen e radhës të Asamblesë së Këshillit të Evropës do të bëhet verifikimi i mandateve të anëtarëve të delegacioneve ku Shqipëria do të prezantohet pa kryetar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›