E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Do t’i kërkoj sqarim Topallit e Berishës për shkarkimin e Biberajt



Partia Socialiste ka reaguar dje për shkarkimin e nënkryetarit të Asamblesë në Komisionin Evropian, Aleksandër Biberaj. Sipas anëtarit të delegacionit të KE-së, Kastriot Islami, shkarkimi i Biberajt tregon konfliktet brenda Partisë Demokratike. Islami shtoi gjithashtu se në letrën e kryeparlamentares Topalli drejtuar KE-së shprehej se Biberaj nuk e kishte mbrojtur mirë ligjin e dosjeve. Islami shtoi se do të kërkojë takim me Topallin për sqarim dhe gjithashtu do ta diskutojë këtë çështje edhe me Kryeministrin Berisha. Gjithashtu, Islami tha se shkarkimi i Biberajt dëmton imazhin e Shqipërisë në KE. “Shkarkimi i Aleksandër Biberajt nga kreu i delegacionit shqiptar në Strasburg ka ardhur si rezultat i kritikave që qeveria shqiptare ka marrë për ligjin e lustracionit nga sekretari i KE-së Terri Devis”, - tha Islami. Sipas Islamit, ky ligj është gjithsesi i kritikueshëm nga ndërkombëtarët dhe Biberaj nuk mund të bëjë asgjë për të përmirësuar perceptimin e tij. Deputeti Islami e quajti veçanërisht të dëmshëm këtë shkarkim pasi dëmton imazhin e Shqipërisë tek ndërkombëtarët. “Ditën e hënë, - theksoi ai, - Shqipëria duhet të përfaqësohet domosdoshmërisht me kryetarin e delegacionit në Strasburg. Kryeparlamentarja Topalli ka të drejtë të shkarkojë dhe të emërojë përfaqësuesit shqiptarë në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së pasi konsultohet me grupet parlamentare”, - u shpreh Islami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›