Biberaj: Lista e Berishës, e hartuar mbi baza klanore dhe klienteliste
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka deklaruar se procesit të hartimit të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit i ka munguar plotësisht transparenca, pasi për hartimin e saj nuk është marrë mendimi i bazës, si dhe nuk janë respektuar forumet dhe statuti i PD. Gjithashtu, sipas tij, në hartimin e listës nuk janë marrë parasysh dhe respektuar vlerat dhe kontributet e kandidatëve.
Biberaj ka akuzuar ndër të tjera se lista është hartuar mbi baza klienteliste dhe klanore. Me sa duket, lidershipi i PD është kujdesur më shumë për të mbajtur kontrollin e grupit dhe partisë pas zgjedhjeve, sido që të jetë rezultati i tyre, sesa për të patur një listë përfaqësuese dhe dinjitoze, me qëllim fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, nënvizoi Biberaj, duke vlerësuar më tej punën e Grupit Parlamentar të PD në këto katër vite. Grupi parlamentar ka qenë grup i disiplinuar dhe nuk është korrekte që pothuajse gjysma e tij është lënë jashtë listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Deputetët e Grupit Parlamentar kanë dhënë kontributin e tyre për suksesin e reformave në vend, në këto katër vite. Në historinë e pluralizimit, nuk ka patur një grup më të disiplinuar, sesa ky aktuali, përsa i përket vendimmarrjes politike, theksoi Biberaj. Deputeti i PD i cili nuk garon në zgjedhjet parlamentare 2009, deklaroi gjithashtu se pavarësisht lënies jashtë të emrit të tij nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk do të largohet nga strukturat e Partisë Demokratike. Ai është një pjesëmarrës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 90, një nga themeluesit e kësaj partie, aktualisht anëtar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar dhe do të vazhdojë të qëndrojë në PD, me qëllim reformimin e thellë të saj. E gjej veten të dobishëm brenda PD, me qëllim vazhdimin e misionit të filluar në Dhjetorin 90 dhe do të startoj betejën për demokratizimin, emancipimin, reformimin dhe modernizimin e PD, pasi kjo parti ka bërë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, përbën një vlerë dhe pasuri për vendin, e cila nuk duhet lënë të zhvlerësohet në tregun politik, nënvizoi Biberaj, duke uruar një fitore të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, në mënyrë që të vazhdojnë reformat e nisura gjatë këtij 4 vjeçari.