E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta garanton përmirësimin e jetës së fëmijëve jetimë

Lideri i LSI premton strehim, arsimim dhe punësim të jetimëve  
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta garanton një jetë më të denjtë për fëmijët jetimë. Meta takoi dje në Ditën Kombëtare të Jetimëve, fëmijë jetimë nga e gjithë Shqipëria, të mbledhur në një festë të organizuar posaçërisht për to. Vetë Presidenti i Shoqatës së Jetimëve, u shpreh se LSI ishte e vetmja forcë politike që u kujtua për jetimët dhe kryetari i kësaj force Meta, i vetmi lider që iu përgjigj ftesës së Shoqatës së Jetimëve për të qenë i pranishëm në takimin me fëmijët jetimë nga e gjithë Shqipëria. Duke përshëndetur fëmijët jetimë në ditën kombëtare të tyre, Meta veçoi faktin se e gjithë shoqëria duhet të jetë më e ndjeshme ndaj kësaj shtrese sociale. Kjo ditë është shumë e rëndësishme jo vetëm për ju, por për të gjithë shoqërinë tonë, e cila duhet të jetë shumë herë më e ndjeshme sesa sot, jo vetëm për fatin tuaj por dhe për vetë perspektivën e një shoqërie, e cila nuk mundet të ecë përpara nëse nuk është njerëzore, nëse nuk është sociale dhe nuk tregon vëmendje në radhë të parë ndaj fëmijëve jetimë kreu i LSI, shprehur dhimbjen për këta fëmijë që jetojnë pa prindër, por që edhe shteti nuk bën aq sa duhet ndaj tyre. Nuk ka gjë më të rëndë sesa një fëmijë të rritet pa ngrohtësinë e prindit, por nuk ka gjë akoma më të rëndë që një shoqëri, apo një shtet të mos jenë të ndjeshëm ndaj kësaj gjëje, vijoi Meta, duke shprehur bindjen se nuk ndodhet pranë fëmijëve jetimë për arsye politike por sepse ka qenë përherë pranë tyre. Unë personalisht nuk është se vij këtu për arsye të karakterit politik, unë kam qenë gjithnjë pranë jetimëve. Kur kam qenë Kryeministër, asnjëherë nuk e kam bërë Vitin e Ri, pa e festuar një herë me jetimët dhe kam qenë vazhdimisht në marrëdhënie të hapura dhe bashkëpunuese me Shoqatën Kombëtare të Jetimëve, por edhe me grupe, fondacione dhe shoqata që kanë mbështetur jetimët, vlerësoi më tej Meta, i cili shtoi se familja e tij  kujdeset edhe për shkollimin e 3 fëmijëve jetimë. Meta, shprehu bindjen se LSI do të realizojë që statusin e fëmijës jetim ta përfitojnë dhe ata që kanë vetëm një prind. Ne së bashku me Kryetarin e Shoqatës, Aliaj, kemi shkuar në një ambient të papërshtatshëm për të jetuar, vetëm pak metra në një nga akset kryesore të Tiranës, tek Shkolla Teknologjike, ku vërtetë që ishte një situatë e jashtëzakonshme dhe e papranueshme. Kemi takuar fëmijë jetimë, apo jetimë që ishin në moshë madhore, pa punë, asnjë mundësi për të përballuar jetën, nuk kishin të ardhura as për të paguar faturën e energjisë elektrike. Unë dua të siguroj, që do bëj gjithçka që është e mundur, pasi mundësitë janë pafund kur ekziston vullneti i shtetit dhe i Qeverisë për të lehtësuar jetën tuaj, për të krijuar të gjitha mundësitë për tu arsimuar dhe për tu shkolluar në mënyrë të denjë, për të pasur mundësi për tu punësuar dhe njëkohësisht për strehim që ngelet një problem kyç, i cili nuk mund të zgjidhet pa marrë përsipër shteti dhe Qeveria kredi me interesa të ulëta dhe afatgjata në mënyrë që secili të ketë mundësi të krijojë familjen e  tij, theksoi Meta, duke përfunduar se vetëm në këtë mënyrë të gjithë do të më të qetë për të ardhmen e kësaj shtrese sociale në nevojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›