Topalli- Moratinos: Forcimi i mëtejshëm bashkëpunimi mes dy parlamenteve
Ministri i Jashtëm spanjoll ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ka shprehur mbështetjen që Spanja i jep Shqipërisë për të ardhmen e saj më të afërt në BE. Gjatë takimit të zhvilluar me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli ministri spanjoll theksoi se reformat e bëra në Shqipëri vitet e fundit, si ajo fiskale, reformat ligjore, reformat në shërbim të qytetarëve, kanë ndikuar dukshëm në transformimin e shpejtë të Shqipërisë.
Duke vlerësuar punën dhe veprimtarinë e kryetares së Kuvendit, ministri Moratinos shprehu dëshirën për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe dy vendeve tona, jo vetëm në marrëdhëniet politike por edhe në ato ekonomike e në fusha të tjera në interes të përbashkët të dy vendeve. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit theksoi se mbështetja e Spanjës në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO por edhe në rrugën drejt BE-së është shumë e rëndësishme. Qeveria dhe Parlamenti në këto katër vite ka realizuar reforma të jashtëzakonshme ligjore dhe ekonomike që, jo vetëm kanë ndryshuar realitetin dhe imazhin e Shqipërisë, por kanë përshpejtuar rrugën e anëtarësimin në familjen Euro-Atlantike, u shpreh Topalli. Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme, kryeparlamentarja Topalli ka përmendur kodin elektoral dhe institucionet zgjedhore të miratuara me konsensus, infrastrukturën moderne zgjedhore të realizuar për herë të parë, dhe veçoi vullnetin për të bërë zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka pasur.