E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: “Lista e PD-së ka frymë klientelistë dhe ka elemente të së majtës”



Deputeti aktual i PD-së, Aleksandër Biberaj, e ka cilësuar listën e bërë publike dje nga kryetari i selisë blu si një listë me frymë klienteliste e klanore. Biberaj, i cili është dhe anëtar i Kryesisë së PD-së, nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Mendohet se përplasja e tij e fundit me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli ka ndikuar që Biberaj të mos jetë pjesë e listës, pavarësisht kontributit që ai ka dhënë në PD prej vitesh. Biberaj, gjatë një komenti për mediat, e ka akuzuar selinë blu për mungesë transparence në hartimin e listës së kandidatëve për deputetë. Sipas tij, nuk janë marrë në konsideratë propozimet e bazës, anëtarësisë së thjeshtë dhe se nuk është respektuar Statuti në shumë pika të tij, që nga propozimet, shqyrtimet e kandidaturave dhe deri në diskutimin dhe hartimin e listës së kandidatëve më të cilët PD-ja do të hyjë në zgjedhjet e 28 qershorit. “Procesit i ka munguar totalisht transparenca, nuk është marrë mendimi i bazës, nuk janë respektuar forumet e Partisë Demokratike dhe Statusi i PD-së. Mendoj se lista ka një frymë të theksuar klienteliste dhe klanore, pasi, me sa duket, lidershipi i PD-së është kujdesur më shumë për të mbajtur në kontroll grupin dhe partinë pas zgjedhjeve, sido që të jetë rezultati, sesa për të pasur një listë përfaqësuese dhe dinjitoze në mënyrë që të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit. Unë uroj që të mos ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, gjithsesi, mendoj se ajo do të këtë ndikimin e vet”, - është shprehur Biberaj. I pyetur se cili do të jetë hapi i tij tashmë që nuk do të jetë përfaqësues i PD-së, Biberaj u shpreh se nuk do të largohet kurrsesi nga PD-ja, pasi është një ndër themeluesit e kësaj partie, por qëllimi i tij tani e tutje do të jetë reformimi i kësaj partie. “Unë nuk bëhet fjalë që të largohem nga PD-ja, pasi jam themelues i Partisë Demokratike. Unë nuk jam në PD vetëm për një mandat deputeti. Unë do të qëndroj dhe do të jap kontributin tim për reformimin e Partisë Demokratike”, - tha Biberaj.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›