Zogaj: “Pse e refuzova kandidimin në Shkodër”
Një tjetër deputet, themelues i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, ka reaguar dje për mospërfshirjen e tij në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Zogaj bën të ditur është njoftuar nga kryetari i PD-së në momentet e fundit të mbylljes së listës se ishte vendosur të kandidojë në këto zgjedhje në qarkun e Shkodrës, dhe jo në qarkun e Lezhës, nga ku është zgjedhur disa herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Zogaj shprehet se nuk e ka pranuar këtë propozim për shkak se ai ka kontribute në PD-në e Lezhës dhe se ka vite që merr mbështetjen e elektoratit të këtij qarku. Sipas Zogajt, propozimi për të kandiduar në Shkodër injoron lidhjet e tij shpirtërore, njerëzore dhe politike me elektoratin e Lezhës. “E kam refuzuar këtë zgjedhje të kryetarit të PD-së Sali Berisha, si një zgjedhje e paarsyeshme, që injoron lidhjet e mia të fuqishme njerëzore, shpirtërore dhe politike me Lezhën si dhe kontributin tim si deputet i zgjedhur i PD-së në Lezhë. Gjithmonë kam patur bindjen që një deputet pasi miratohet nga elektorati ai rikandidohet. Kjo është figura e deputetit të popullit që kur e ka bilançin pozitiv në elektorat ai duhet të trajtohet si aset për partinë. Vendimi im i përgjigjet këtij vizioni. Unë mbroj figurën e deputetit të popullit. Kjo është më shumë sesa të kapesh pas karriges”, është shprehur Zogaj. Ai ka bërë të ditur se Berisha nuk i ka shpjeguar arsyen se pse nuk e ka rikandiduar në qarkun e Lezhës. Sipas tij, ai nuk ka pasur mundësi apelimi për shkak se lista është hartuar në fshehtësi dhe në një kohë të shkurtër. Preç Zogaj ka deklaruar se në këto zgjedhje do të kandidojë në qarkun e Lezhës për partinë e Spartak Ngjelës.
21 Maj 2009