Biberaj: “Maxhoranca të negociojë me ndërkombëtarët për ligjin e dosjeve”
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka deklaruar dje se ligji i dosjeve ka hapësira për t’u negociuar me ndërkombëtarët. Deklarata e Biberajt vjen pas sugjerimeve të njëpasnjëshme të faktorëve ndërkombëtarë jashtë dhe brenda vendit, të cilët janë shprehur se ligji është antikushtetues. Ky është zëri i vetëm nga Grupi Parlamentar i PD-së, që kërkon negocimin e ligjit duke marrë në konsideratë sugjerimet e ndërkombëtarëve. Ndërsa qëndrimi zyrtar i qeverisë dhe i PD-së është zbatimi i ligjit të miratuar vetëm me votat e PD-së në Kuvend, pavarësisht qëndrimit të ndërkombëtarëve. “Ligji i lustracionit mendoj se ka hapësirë për t’u biseduar me aleatët tanë strategjikë, SHBA-të, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e pranueshme, konform standardeve ndërkombëtare”, - është shprehur Biberaj. Ai ka shtuar se mbështet zbatimin e ligjit të lustracionit dhe se zbatimi i tij në Shqipëri është i vonuar. “Ligji i lustracionit është një ligj shumë i rëndësishëm, që synon pastrimin e politikës shqiptare, të sistemit të drejtësisë, të administratës publike, por edhe të shoqërisë shqiptare nga e kaluara e errët e sistemit komunist. Ndonëse jemi vendi i fundit në Europën Juglindore që aplikojmë këtë ligj, zbatimi i tij është i rëndësishëm”, - është shprehur deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj. Me këtë rast, Biberaj kujton kontributin e SHBA-ve, Anglisë dhe të Europës Perëndimore për rrëzimin e komunizmit në Europën Juglindore dhe në Shqipëri. Gjithashtu, deputeti demokrat sjell në vëmendje edhe kontributin dhe përkrahjen e këtyre vendeve për ecurinë e reformave në vend, si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe integrimin në BE, ndaj sugjeron PD-në që të marrë në konsideratë kritikat e ndërkombëtarëve.
Shkurt
Topalli, diskutim ndërparlamentar për Korridorin 8
Kryetarja e Kuvendit ka organizuar një takim ndërparlamentar për ndërtimin e Korridorit 8. Sot do të zhvillohet për herë të parë takimi ndërparlamentar mes komisioneve të transportit të Shqipërisë, Italisë, Maqedonisë Bullgarisë dhe Komisionit Europian për Projektin e Korridorit të 8-të. Qëllimi i kësaj mbledhjeje është dhënia e mbështetjes së nevojshme qeverive të vendeve përkatëse për përshpejtimin e realizimit të Projektit të Korridorit të 8-të Pan-Europian të Transporteve. Aktiviteti do të zhvillojë punimet sot nga ora 09:30 deri në orën 14:30. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të mbajë një fjalë përshëndetëse, në hapje të këtij takimit ndërparlamentar. Të pranishëm në këtë aktivitet do të jenë gjithashtu ministri i Transportit, Sokol Olldashi dhe ambasadorët e Bullgarisë, Maqedonisë dhe Italisë të akredituar në Tiranë.
5 Shkurt 2009