Topi mbështet kërkesat e ish-të përndjekurve politikë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me një përfaqësi të ish-të përndjekurve politikë nga Malësia e Madhe. Përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë nga Malësia e Madhe i parashtruan kreut të shtetit shqetësimet e tyre lidhur me trajtimin dhe me pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore si përsa i përket dëmshpërblimit, shkollimit, punësimit, ashtu edhe me rehabilitimin dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, si dhe vlerësimin e merituar historik të kryengritjes antikomuniste të 23-25 janarit 1945 në Malësinë e Madhe. Kryetari i shtetit u shpreh se i ka ndjekur gjithmonë me vëmendje të madhe shqetësimet e tyre dhe theksoi se është detyrim institucional dhe moral për t’i ardhur në ndihmë kësaj shtrese. “Ju jeni një përfaqësi të nderuar të një zone të nderuar, me një shtresë që ka përballuar shumë sfida të hidhura të jetës, shumë vuajtje, por që është një shtresë që ka ditur me shumë fisnikëri të jetë mbështetëse e proceseve demokratike në Shqipëri. Patjetër që jeni tharmi i stimulimit të të gjitha proceseve pozitive që duhet të ketë shoqëria jonë”, - është shprehur Topi, ndërsa i ka sugjeruar përfaqësinë e të ish-të përndjekurve politikë që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët edhe mundësitë institucionale e demokratike për të nxjerrë në pah problemet e tyre dhe për t’i zgjidhur ato. Presidenti Topi i siguroi përfaqësuesit e ish-të përndjekurve nga Malësia e Madhe se do të vazhdojë të ndjekë me mjaft vëmendje shqetësimet e tyre dhe se do t’i mbështesë gjithmonë institucionalisht në cilësinë e Presidentit të Republikës, duke ushtruar të gjitha kompetencat që i jep Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
5 Shkurt 2009