E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat kroate: Presidenti Obama në Tiranë, apo në Zagreb?



“Presidenti amerikan, Barak Obama, mund të vizitojë Kroacinë ose Shqipërinë”. Kështu janë shprehur mediat kroate, të cilat kanë cituar burime jozyrtare që thonë se kreu i sapozgjedhur në Shtëpinë e Bardhë mund të bëjë një vizitë disaorëshe në njërin nga dy vendet që pritet të anëtarësohen në Aleancën Atlantike gjatë Samitit të Strasburgut, që zhvillohet në fillim të prillit. Lajmi është dhënë dje nga agjencia kroate e lajmeve “Javno”, e cila i referohet së përjavshmes “Globus” në Zagreb. Sipas saj, më 3-4 prill presidenti amerikan do të takohet me udhëheqësit e vendeve të NATO-s në Samitin e Strasburgut, i cili shënon edhe kremtimin e 60-vjetorit të Aleancës. Thuhet se Obama mund të vizitojë për disa orë njërin nga dy vendet që do t’i bashkohen NATO-s. Agjencia në Zagreb pohon se lajmi ka dalë për të përjavshmen “Globus” nga burime të rezervuara në Shtëpinë e Bardhë. Duke vijuar më tej, lajmi thotë se nëse nuk do të ndodhë një gjë e tillë, autoritetet amerikane mund të rezervojnë një takim të veçantë në Uashington me presidentët dhe kryeministrat, të cilët mund të takohen me presidentin Obama në muajin maj të këtij viti.
Megjithëse qarkullojnë informacione të tilla, axhenda zyrtare e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Barak Obama, por edhe përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë, nuk kanë dhënë asnjë shenjë se ai mund të vizitojë vendet e rajonit. Një debat i tillë vjen menjëherë pas zërave që qarkulluan disa ditë më parë në Uashington, ku kongresmeni amerikan, Eliot Engëll, i kërkoi kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë që ta niste vizitën e parë të tij jashtë vendit në Kosovë. Një propozim i tillë justifikohej me faktin se Kosova është një vend mysliman dhe zoti Obama duhet ta bënte këtë për të dhënë sinjale pozitive për botën islame.
Kroacia po përballet me probleme në lidhje me integrimin euroatlantik, pas konflikteve me fqinjën e saj, Slloveninë, për çështjet e kufirit. Madje, Parlamenti slloven shtyu ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO para disa ditësh, duke paralajmëruar edhe një referendum të mundshëm nëse dështon edhe për herë të dytë. Një situatë e tillë ka nxitur informacione të tilla për nevojën e takimit të autoriteteve më të larta të Zagrebit me ato të Uashingtonit, në mënyrë që të kapërcehet ky konflikt.
Nëse Barak Obama do të vinte në Shqipëri në muajin prill, kjo do të shënonte vizitën e dytë të një presidenti amerikan këtu, pas vizitës së Xhorxh Bushit në Tiranë, më 10 qershor të vitit 2007. Gjithsesi, duket e pabesueshme dhe e pahamendësueshme deri tani që presidenti i sapozgjedhur në SHBA të fusë në axhendën e tij një tur, qoftë edhe disaorësh, në Tiranë, në kohën që Amerika përballet me probleme të gjithanshme, të cilat kërkojnë angazhim maksimal të presidentit të ri.

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›