Bumçi: “Grupet e interesit e kanë thënë fjalën e tyre në Kuvend për ligjin e dosjeve”
Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, ka reaguar dje pas ankimimeve të njëpasnjëshme në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e dosjeve. Pas depozitimit pranë Gjykatës Kushtetuese të ankimimit nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit si dhe nga Shoqata e Prokurorëve, Bumçi është shprehur se këto grupe interesi janë ftuar nga Kuvendi të thonë fjalën e tyre gjatë diskutimit të ligjit të dosjeve. Sipas tij, Komiteti i Helsinkit refuzoi të merrte pjesë në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. “Gjithë kjo histori është zhvilluar para syve të opinionit publik. Qëndrimet tona kanë qenë shumë të qarta, bëmë dhe seanca dëgjimore me grupet e interesit, që ishin shoqata e të përndjekurve politikë, grupi i të drejtave të njeriut, qendra për rehabilitimin e traumës dhe torturës. Ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me sa mbaj mend, nuk ka marrë pjesë në seancën dëgjimore, por të paktën Kuvendi, në këtë rast Komisioni i Ligjeve, e ftoi të ishte në seancën dëgjimore ku do të merreshin parasysh dhe mendimet e tyre”, - është shprehur Bumçi.
Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së ka bërë të ditur se tani që ligji ka hyrë në fuqi, shumë shpejt do të nisë puna për ngritjen e Autoritetit për verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë. Ai tha se në kushtet kur PS-ja refuzon të marrë pjesë në këtë komision me anëtarët e saj, postet bosh do të plotësohen me përfaqësues të shoqërisë civile. “Shoqatat e shoqërisë civile, që në aktivitetin e tyre prekin çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, me çështjen e të përndjekurve politikë, me rehabilitimin e tyre. Pra e gjithë kjo është një gamë e gjerë, kështu që mund të propozojnë kandidatura”, - është shprehur Bumçi.
5 Shkurt 2009