E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ligji i dosjeve, prokurorët ankimojnë në Kushtetuese

Shkëlqim Hajdari: “Ligji për pastërtinë e figurave, miratuar me shumicë të thjeshtë, shfuqizon ligjin për Prokurorinë, miratuar me tre të pestat”

Tiranë - Shoqata e Prokurorëve kërkon nga Gjykata Kushtetuese rrëzimin e ligjit për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve, si antikushtetues. Përfaqësues të kësaj shoqate kanë dorëzuar paraditen e së mërkurës kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e këtij ligji.
Ankesa
Në vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për pastërtinë e figurave, u shënua dje ankimimi i tretë në Gjykatë për ta rrëzuar atë si një ligj antikushtetues. Pas opozitës dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ka qenë Shoqata e Prokurorëve ajo që ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për ligjin e lustracionit. Burimet bëjnë të ditur se Shoqata e Prokurorëve ankimon, nëpërmjet sekretarit të saj, zotit Shkëlqim Hajdari, në ligjin e lustracionit pikat që cenojnë kategoritë e tyre, konkretisht për nenet që bëjnë fjalë për emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve, madje dhe balancimin e pushteteve. Në argumentet e paraqitura nga Shoqata e Prokurorëve thuhet se “një ligj i miratuar me tre të pestat, siç është ligji i funksionimit të Prokurorisë, nuk mund të shfuqizohet nga një ligj i miratuar me shumicë të thjeshtë, siç ishte ligji për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”. Për ligjin në fjalë, në mënyrë të herëpashershme, kanë bërë kritikat e tyre zyrtarët europianë dhe amerikanë, të cilët kanë kërkuar konsensus politik mes forcave.
Kontestimet
Në një reagim për këtë çështje, edhe deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, kërkoi sërish reflektimin e maxhorancës. “Mendoj që ka hapësirë që maxhoranca të bisedojë me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, në mënyrë që të arrihet një kompromis për të mos prekur thelbin e ligjit, duke qenë kështu në sinkron me qëndrimin e SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe të BE-së”, - tha deputeti Biberaj. Pavarësisht reagimeve të ndërkombëtarëve, qeveria është shprehur e bindur se ligji i hartuar është forma më e mirë e mundshme që nuk shkel Kushtetutën dhe që siguron paqen sociale te shtresat e të përndjekurve të regjimit komunist. Komiteti Shqiptar i Helsinkit dorëzoi një ankimim të ngjashëm me atë të opozitës në Gjykatën Kushtetuese, duke shënuar kështu numrin rekord të ankimimeve për të njëjtin ligj të miratuar me shumicë kartonësh.

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›