E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektori që investigoi Jalën hetoi dhe ish-presidentin e Bankës Botërore

Eduardo Abot hetoi ish-presidentin e Bankës për favorizimin e mikeshës së tij. Ish-kreu i BB-së, Uollfoviç, dha dorëheqjen nga detyra dy muaj pas hetimeve

Habjon Hasani

Tiranë - Një nga inspektorët e Panelit Hetimor të Bankës Botërore që investigoi skandalin e Jalës ka qenë pjesë e stafit të ekspertëve që hetuan dhe vetë presidentin e këtij institucioni të fuqishëm në vitin 2007. Ndërsa në prill të vitit 2007, në fshatin Jalë, Policia Ndërtimore po kryente shkatërrimin e banesave në mënyrë selektive, Eduardo Abot, konsulent i Panelit Hetimor të Bankës Botërore, së bashku me pesë kolegë të tij, po përgatitnin raportin përfundimtar lidhur me “favorizimin e ekzagjeruar që presidenti i Bankës Botërore, Pol Uollfoviç, i kishte bërë një mikeshës së tij, punonjëse të Bankës, duke i shtatëfishuar rrogën”. Ky raport iu dorëzua Bordit Drejtues të këtij institucioni, ndërsa Uollfoviç dha dorëheqjen nga posti i tij (më i rëndësishmi i mundshëm në BB), duke pranuar abuzivitetin e këtij veprimi të tij publikisht. Eduardo Abot ishte gjithashtu në Tiranë më 21-25 shtator të vitit 2007 (vetëm pak kohë pasi presidenti Uollfoviç dha dorëheqjen) së bashku me dy kolegë të tij, Uerner Keine (kryeinspektor i Panelit) dhe Dilek Barlas (inspektore e Panelit), për të verifikuar nëse kishte të dhëna të duhura për të ndezur një hetim nga ana e tyre lidhur me shkatërrimet e shtëpive në Jalë.
Uollfoviç
Në prill të vitit 2007 drejtuesit e Bankës Botërore premtuan një vendim të shpejtë lidhur me fatin e presidentit të Bankës, Pol Uollfoviç, ndërkohë që punonjësit e këtij institucioni shprehën zemërim rreth një skandali favorizimi ku ishte përfshirë ai. Bordi i Drejtorëve të Bankës tha asokohe se komisioni i tij i etikës nuk e kishte shqyrtuar një rekomandim të bërë nga zoti Pol Uollfoviç dy vjet më parë për t’i rritur pagën një ish-punonjëseje të Bankës, e cila ishte mikesha e tij. Kritikët komentuan asokohe se ishte hipokrizi fakti që zoti Pol Uollfoviç shëtiste nëpër botë dhe u mbante leksione udhëheqësve të ndryshëm për korrupsionin, kur ai vetë i ka rritur pagën në shuma të mëdha mikeshës së tij, e cila punonte në Bankë. Tri ditë para dorëheqjes, Uollfoviç kërkoi falje për këtë veprim të tij dhe u tha gazetarëve se kishte bërë një gabim. Ai u përpoq të fliste para 200 punonjësve të Bankës, por u largua menjëherë kur punonjësit filluan ta fishkëllenin dhe të kërkonin në kor dorëheqjen e tij.
Jalë
Ardhja e tre drejtuesve të Panelit Hetimor të Bankës Botërore u nxit nga Katerina Koka, një shqiptare nga Jala, që punon pedagoge në Toronto të Kanadasë. Ajo ndoqi gjithë procedurën e denoncimit të kësaj skeme, pasi familjarët e saj ishin prekur nga shkatërrimet. Kësaj here qeverisë dhe ndërtimorëve u ka ngecur “sharra në gozhdë”, pasi prishën shtëpinë e familjes së zonjës Koka, e cila, pasi ka ezauruar të gjitha ankesat në filialin e Bankës Botërore në Tiranë, më tej ka proceduar me denoncimin dhe kërkesën e saj për hetim drejt Panelit të Inspektimit të Bankës. Gjithë bazën dokumentare dhe ndjekjen e procedurës për këtë ankesë të bërë në emër të banorëve e ka udhëhequr pikërisht Katerina Koka, ndërsa mbi këto dokumente kanë firmosur të gjithë anëtarët e familjeve të prekura nga shkatërrimet në këtë fshat. Kërkesa e bërë nga banorët dhe e drejtuar nga Katerina Koka është marrë në dorëzim nga Paneli i Inspektimit të Bankës më 30 korrik 2007.

BOX
Paneli i Inspektimit është organi hetimor i Bankës Botërore

Zyra që hetoi skandalin e Jalës, në thelb është “prokuroria” e Bankës Botërore. Paneli i Inspektimit të Bankës Botërore u themelua në vitin 1993, me porosi të Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, IBRD dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit (IDA). Objektivi kryesor i punës së Panelit të Inspektimit është pranimi i vërejtjeve nga njerëz që mund të preken nga projektet e Bankës Botërore dhe garantimi që politikat dhe synimet themeltare të BB të zbatohen në terren. Paneli përbëhet nga tre anëtarë të emëruar nga bordi me mandate pesëvjeçare të parinovueshme. Anëtarët zgjidhen në bazë të aftësisë për të trajtuar në mënyrë të pavarur dhe të ndershme kërkesat që i dërgohen, si dhe duhet të jetë të pavarur nga menaxherët e Bankës, apo të paekspozuar kundrejt problemeve të zhvillimit dhe kushteve të jetesës në vendet në zhvillim. Gjatë katërmbëdhjetë viteve të fundit ka hetuar çështje të ndryshme, që kanë qenë shqetësim për njerëzit në të katër anët e botës. Hetimi i fundit lidhej me shqetësimin e disa fshatrave në Ugandë, ku një projekt privat, i lidhur në një farë mënyre me punët e Bankës Botërore, synonte ndërtimin e një hidrocentrali, që mund të prekte jetën dhe kulturën e banorëve vendës.

BOX
Konkluzionet e investigimit të Penalit të Inspektimit të Bankës Botërore

1. Paneli zbuloi se vendimi i fillimit për të mos zbatuar direktivën OP/BP 4.12 në fazën decizive të vlerësimit ishte zanafilla që shkaktoi përdorimin pa kujdes të menaxhimit në prishjet e Jalës. Kjo dhe dështimi i ruajtjes me kujdes të projektit përmes një marrëveshjeje me qeverinë për të ndërprerë prishjet në zonën e projektit shkaktuan konsekuenca për popullatën që prekej dhe për reputacionin e Bankës.

2. Bazuar në analizat e mëparshme, Paneli zbuloi që jo vetëm gjatë projektimit të projektit dhe vlerësimit të tij, por gjithashtu edhe gjatë implementimit të projektit, Banka falimentoi për të përmbushur detyrimin e OP/BP 4.12 të “Involuntary Resettlement”.
Në mendimin e Panelit, dështimi i ndjekjes së këtyre politikave e la Bankën në një situatë vunerable. Banka duhet të përdorte prishjet në Jalë për të riekzaminuar me qeverinë e Shqipërisë gjithë sjelljen e projektit me prishjet dhe ta konsideronte aplikimin e direktivës së Bankës për këtë projekt që në momentin që ky rregull parashikon vlerat bazike që Banka mund të përdorë në rastin e prishjeve për njerëzit që jetojnë në zonën e projektit.

3. Ky projekt, që përfshin komponentë të njohur që lidhen me prishjet në zonën e projektit, fshehën një risk kritik që mund të ishte mënjanuar me një supervizion adekuat. Paneli vëren që Banka dështoi në supervizimin e projektit, ashtu sikurse u kërkua nën politikat e Bankës.

4. Paneli gjithashtu konkludon se “Management Reponse” ishte veçanërisht jo e vlefshme dhe joinformative dhe në një konflikt total me informacionin faktik, i cili ishte i njohur prej kohësh prej “Management”... Prishjet në Jalë kanë ndodhur më shumë sesa një vit e gjysmë më parë. Dhe për sa di Paneli, asnjë veprim nuk është ndërmarrë për situatën e njerëzve të prekur atje. Paneli shpreson që ky raport do të asistojë Bankën të ndërmarrë veprimet e nevojshme me çështjet e ngritura gjatë këtij investigimi.

5. Policia e Ndërtimit i nisi shkatërrimet më 17 prill 2007, pavarësisht nga lutjet e pretenduesve dhe autoriteteve lokale për të ndërprerë veprimet deri pas mbylljes së çështjeve gjyqësore. Procesi i shkatërrimit shkaktoi skena të dhimbshme të rezistencës dhe kundërshtimit ndaj veprimeve të policisë. Policia e Ndërtimit i përfundoi shkatërrimet në pesë ditë.

6. Sipas personave që ndodheshin në atë kohë në Jalë, një zyrtar i Policisë së Ndërtimit tha: “Ju po qani tani, por mos u mërzisni, se më vonë do të hani me lugë të florinjtë, pasi ky është projekti i madh i Bankës Botërore. Ata do të investojnë këtu dhe do të kujdesen për ju”.

7. Është e rëndësishme të nënvizojmë që Njësia e Koordinimit të Projektit mori një letër me një kokë zyrtare të Zyrës së Financimit të projektit të Bankës dhe letra ishte firmosur nga kreu i kësaj njësie, në kapacitetin e tij si koordinator i projektit dhe atashuar me letrën ishin edhe fotografitë që ka financuar projekti.

8. Koordinatori i projektit (Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryeministrit Sali Berisha), është i njohur në rrjetet administrative në Shqipëri. Ai është përshkruar shpesh në shtypin vendas për të dyja, edhe në rolin e tij si koordinator i projektit të Bankës, por edhe si një pjesëtar i familjes së një prej zyrtarëve më të lartë që drejton qeverinë në vend.

9. Në përgjigje të letrës së kreut të zyrës së Koordinimit të Projektit, vetëm dy javë më vonë, në 10 prill 2007, Policia Ndërtimore dërgoi një letër në adresë të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, te koordinatori i projektit dhe një te këshilltari i ministrit. Letra-përgjigje evidentonte një numër ndërtimesh pa leje të identifikuara nga një grup pune që ishte ngritur në Policinë Ndërtimore menjëherë pasi morën letrën e koordinatorit të Projektit. Kjo përfshinte 16 ndërtime pa leje në Jalë.

10. Në përgjigjen e vet, Policia Ndërtimore theksonte se kishte ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme dhe vendimet për prishjen e këtyre ndërtimeve, dhe kjo u ishte komunikuar palëve respektive. Prishjet në Jalë u ndërmorën vetëm 7 ditë pas letrës që Policia Ndërtimore dërgoi në njësinë e menaxhimit të projektit.

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›