“Dosjet”, ambasadori Jensen: “Danimarka, kundër”
Ambasadori i Danimarkës në Tiranë, Karsten Jensen, është pozicionuar publikisht kundër ligjit të lustracionit, prej të cilit qeveria e kryeministrit Berisha nuk është distancuar për asnjë moment duke refuzuar rishikimin e ligjit. Pas deklaratës zyrtare të Presidencës së Bashkimit Europian dhe ankimimit në Gjykatën Kushtetuese për të shpallur të pavlefshëm ligjin e lustracionit, ambasadori danez ka thelluar kundërshtinë e faktorit ndërkombëtar ndaj ligjit kur deklaroi në emisionin e mëngjesit në Top Channel, se ky ligj është një hap prapa për vendin. “Mendoj se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Por, fatkeqësisht, së fundi, kemi parë atë që do ta quaja hap prapa, para së gjithash me ligjin e lustracionit. Çdokush në komunitetin ndërkombëtar e kupton se është e nevojshme një ndarje me të kaluarën. Kjo është një gjë shumë e mirë. Por një gabim nuk mund të kurohet duke bërë një gabim tjetër”, - u shpreh Jensen.
Por, në vlerësimin e ambasadorit të Danimarkës në Tiranë, ky nuk është problemi i vetëm i ligjit të lustracionit, zbatimi i të cilit, kështu siç është, do të pengoje integrimin europian.
“Sipas nesh, ligji nuk përmbush standardet ndërkombëtare dhe sipas ekspertëve tanë, disa nene të ligjit nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit. Dhe sigurisht, nëse ju nuk arrini standardet ndërkombëtare, nuk mund të bëheni anëtar i Bashkimit Europian. Anëtarët e komunitetit ndërkombëtar kanë bërë paralajmërime për këtë duke shpresuar që ligji do të përmbushë standardet, por fatkeqësisht, të paktën deri tani, nuk ka asnjë ndryshim. Unë këtë e shikoj si një hap prapa”, - u shpreh Jensen.
5 Shkurt 2009