E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Prokuroria të nisë hetimet për dhëndrin e kryeministrit”



Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, kërkon nga prokuroria që të nisë hetimet ndaj dhëndrit të kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, për abuzimet me projektet e Bankës Botërore në bregdetin e Jalës. Braçe tha se çdo ditë e më tepër po vërtetohet se kryeministri Sali Berisha po përdor në mënyrë kriminale çdo aktivitet publik, ekonomik, për të përfituar personalisht dhe familjarisht në mënyrë korruptive.
“Praktikisht, Sali Berisha po blen Shqipërinë. Praktikisht, shqiptarët do të jenë shpejt punëtorët me mëditje në aktivitetet ekonomike të Sali Berishës. I gjithë ky sistem ekonomiko-kriminal ka në thelb konfliktin e interesit e përmes tij përfitime të paligjshme deri në monopolizëm të aktivitetit ekonomik në vend”, - tha Braçe. Ai tha se Partia Socialiste prej kohësh kishte denoncuar emërimin e dhëndrit të kryeministrit Berisha në krye të këtij projekti duke e cilësuar atë si skandaloz dhe në konflikt të pastër interesi. “Ne, që në ditën e parë, e kemi cilësuar emërimin e dhëndrit të Sali Berishës në menaxhimin e këtij projekti, me portofol dhjetëra milionë euro, si skandaloz dhe në konflikt të pastër interesi. Ne kemi cilësuar skandaloz thellimin e gjendjes së konfliktit të interesit, faktet e bëra publike nga një kompani imobiliare, operative në Shqipëri, mbi shërbimet e paguara të bashkëshortes së drejtorit të projektit, në aktivitetin e shitblerjes së tokave bregdetare në Jug të kësaj kompanie”, - tha Braçe.

Vasili: “Berisha të shkarkojë urgjent Malltezin”

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar në lidhje me skandalin e abuzimit me pronat në bregdetin e Jalës. Vasili tha se ky skandal konfirmon për të disatën herë radhazi zhytjen e qeverisë dhe të kryeministrit Berisha në batakun e korrupsionit. Ai kërkoi nga kryeministri Berisha që të shkarkojë dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, nga drejtimi i projektit për tokat në bregdet. “LSI-ja ka denoncuar fort dhe publikisht dy vjet më parë masakrën e konsumuar në Jalë, kur qeveria e Berishës sulmoi me fadromat dhe policinë e saj pronat e banorëve të fshatit Vuno në atë zonë. Edhe dy vjet më parë, qeveria bëri veshin e shurdhër dhe me arrogancë vijoi pa hezitim ofensivën e saj, duke shkatërruar pronat dhe duke shtypur qytetarët në Jalë. Qeveria e Berishës i sulmoi këto prona me një egërsi të padëgjuar, sepse interesat e ngushta klienteliste dhe korruptive e udhëhoqën për ta bërë këtë. Në këtë situatë skandaloze dhe të paprecedentë, në të cilën është katandisur projekti i Bankës Botërore të bregdetit dhe rolit tërësisht negativ, abuziv dhe me ngjyrim të fortë korruptiv të koordinatorit Malltezi, hapi i parë i reflektimit është dorëheqja e Malltezit. Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë kryeministri Berisha në mënyrë të menjëhershme duhet të ushtrojë përgjegjësitë e tij shtetërore dhe të bëjë shkarkimin e Malltezit nga pozicioni që ai mban, si dhe të vihet në dispozicion për të sqaruar gjithçka lidhur me këtë skandal të qeverisë së tij”, - tha Vasili.

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›