E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: Motivet e shkarkimit tim nga Topalli

Nga Valbona Kurti, “Faktori Plus”

Z. Biberaj, pse u kthyet sot (dje) nga Strasburgu?

Jam kthyer, pasi kam mbaruar mandatin tim në Strasburg dhe me mbarimin e mandatit Shqipëria ka humbur edhe katër mandate të rëndësishme, mandatin e zv/presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të zv/presidentit të grupit parlamentar të partive popullore të Evropës, të zv/presidentit të Komisionit të Rregullores së Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale, si dhe mandatin e Reporterit për Hetimin e Krimeve të Stalinit në Ukrainë dhe në ish-republikat e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik.

Çfarë ndodhi atje, pasi, ndërsa ju ishit në Strasburg, në Tiranë, nga pjesëtarët e delegacionit pati komente të ndryshme për pezullim të delegacionit shqiptar? Çfarë ndodhi realisht në KE?

Kjo çështje është diskutuar që të dielën pasdite në komitetin presidencial, pastaj është diskutuar në byro të grupeve politike, është diskutuar në byronë e Asamblesë Parlamentare, në grupet parlamentare dhe në seancë. Unë realisht kam pasur një mbështetje të jashtëzakonshme, natyrisht mbështetje politike dhe morale, sepse kuptohet që me kërkesën e zonjës Topalli në bazë të rregullores që ka Këshilli i Evropës është marrë parasysh delegacioni i ri. Gjithsesi, çështja i ka kaluar për trajtim Komisionit të Rregullores që do të përgatisë një raport dhe pastaj mund t’i kalojë edhe Komisionit të Monitorimit, por do të thoja që efekti ka qenë tepër negativ lidhur me imazhin e Shqipërisë, sepse shumë deputetëve i rikujton ose edhe i rikthen kohët e vjetra të para dhjetë viteve, kur Shqipëria natyrisht ka pasur problemet që ne i dimë të gjithë. Pra, është dëmtuar në mënyrë të konsideruar imazhi i vendit tonë.

Është folur në rrethet mediatike dhe politike shqiptare që lustracioni ka qenë ai që ju viktimizoi. Juve ju erdhi surprizë vendimi i krye-parlamentares Topalli, por pas kësaj, këto ditë, pasi ka ndodhur ngjarja, me çfarë e lidhni, me një konkurrencë brenda në PD, një hartim listash për zgjedhjet e afërta apo lustracioni?

Natyrisht që e kam menduar gjatë këtyre ditëve, unë akoma nuk gjej një shkak real. Natyrisht, mënyra se si u realizua, ishte një mënyrë shumë primitive, duke u shkelur edhe etika parlamentare, edhe etika si koleg, pasi unë jam anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, kam 18 vjet në PD dhe natyrisht, jam anëtar i grupit parlamentar të PD. Por mbi të gjitha është shkelur rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë që parashikon kalimin e listës dhe të ndryshimeve përkatëse, për njoftimin e seancës dhe, në rastin kur ka debat apo kundërshtime, ajo votohet, gjë që nuk është realizuar. Imagjinoni se çfarë ndodh në një vend, ku kryetarja e Kuvendit, që presupozohet që të jetë mbrojtësi dhe garantuesi i ligjit, shkel ligjin, pasi rregullorja e Kuvendit është si Kushtetutë për ne deputetët ose do ta quaja si një ligj të veçantë. Akoma edhe sot unë nuk kam një komunikim zyrtar, nuk kam një shkak zyrtar, e përsëris që gjërat i kam menduar disa herë dhe nuk gjej absolutisht asnjë lloj shkaku. Natyrisht, aty janë diskutuar dhe ka pasur alibi të ndryshme, ka pasur deputetë që mund ta kenë lidhur me çështjen e lustracionit, e kam fjalën për deputetë evropianë, ka pasur deputetë të tjerë që e kanë lidhur edhe me çështjen e raportit për hetimin e krimeve të Stalinit, pasi dihet që pozicioni im sidomos për çështjen e Kosovës ka qenë pozicion, kuptohet ballë për ballë me rusët, me serbët dhe me disa lobingje të tjera antishqiptare. Natyrisht, emërimin tim në atë pozicion nuk është se e kanë pritur mirë rusët, gjithsesi ka qenë një vendim i komitetit politik. Mund të ketë shumë alibi, gjithsesi unë nuk dëshiroj që të hyj në këtë pjesë të informalitetit.

E ardhmja juaj politike në njëfarë mënyre vështirësohet, zgjedhjet janë afër dhe ju nuk do të përballeni më kësaj radhe me elektoratin, por emri juaj do të jetë në dorën e kryetarit të partisë...

E ardhmja ime politike është në Partinë Demokratike, pasi unë jam themelues i kësaj partie, pra janë 18 vjet që jam pjesë e kësaj partie, jam pjesë e strukturave, kam dhënë kontribut besoj të çmuar gjatë këtyre 18 viteve. Kjo që ndodhi, nuk ka ndodhur për defekte të Aleksandrit, por ka ndodhur për mungesë serioziteti nga ana e atyre që e kanë organizuar, pasi kjo ka qenë një prapaskenë e organizuar, e mirë-menduar, ka qenë një goditje pas shpine absolutisht e papritur dhe unë mendoj se ata duhet të mbajnë përgjegjësitë e veta. Unë jam ai që kam qenë dhe do të vazhdoj të punoj me ndershmëri, me përkushtim duke u bazuar në parime dhe në principet demokratike, të cilat unë i kam të shenjta, pra ato parime që mua më kanë futur në politikë në dhjetor të vitit 1990.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›