Shqipëria dhe Kosova duhet t’i zbardhin krimet e komunizmit
Poeti dhe mësuesi nga Kukësi, Havzi Nela, është njëri prej shumë viktimave të Shqipërisë që në vitin 1988 u ndëshkua politikisht prej pushtetarisë komuniste shqiptare. Ai u sakrifikua për dinjitetin njerëzor dhe fati i tij nuk ishte gjë tjetër përveçse fati i njeriut në diktaturë. Krimi ndaj Nelës është një nga dëshmitë më tronditëse se si komunistët kishin vepruar mbi njeriun që nuk kërkonte asgjë më shumë sesa lirinë e vendit të tij. Intelektuali Nela nga vrasësit komunistë në Shqipëri merrej si shembull i ndëshkimit. Gjykata e Kukësit, më 24 qershor 1988, kishte marrë vendim për varjen e tij në litar. Më 10 gusht 1988, kryejnë ekzekutimin në Kukës, përkatësisht te sheshi i agjencisë së udhëtarëve. Ramiz Alia kishte mundur të parandalonte marrjen e jetës së H. Nelës, biografia e të cilit për shkak të mospërshtatjes me regjimin u paraqit e errët dhe armiqësore. Pavarësisht se fati i jetës së tij kishte mbetur në duart e një vendimi kriminal, Nela vazhdonte të shprehte urrejtjen e tij ndaj komunizmit. “Sa për Enver Hoxhën, balta e zezë shumë shpejt ka me ia mbulue emnin, edhe në rast se ia përmend kush, ka me ia përmendë me përbuzje. Punët janë për mirë. Ky regjim do të përmbyset fort shpejt... Do të hyjmë shpejt në Bashkimin Evropian. S’do ketë ma kufij, por do jenë vetëm formalë. Edhe në Kosovë kemi me hy shpejt lirisht”, - qe shprehur Nela, i cili, edhe përkundër kërkesës që të jepej drejtësia që i takonte, nuk i kishte shpëtuar varjes në litar. Veprimi ndaj Nelës ishte një nga aktet më të jashtë-moralshme të drejtësisë së kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Njëzetenjë vjet mbas mbytjes në litar të H. Nelës, ekipi vrasës i tij ende nuk ka shfaqur asnjëherë pendesë për krimin e bërë ndaj këtij intelektuali të Shqipërisë. Mandej, në vitin 2002, ish-kreu i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, F. Abdiu, që shqyrtoi çështjen “Nela”, në vend të turpërimit dhe kërkim-faljes, “trimërohej” për veprën kriminale që kishte bërë ndaj Nelës. Vrasësit e Nelës pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri në vend të dënimit u shpërblyen për krimin që kishin bërë mu në fushën e “drejtësisë”. Kjo s’është gjë tjetër, veçse një dëshmi se Shqipëria fatkeqësisht vazhdon të vuajë nga krimet e komunizmit dhe nga përmbytja e moralit. Për 21 vjet me radhë shteti i Shqipërisë asnjëherë nuk ka shpallur në kërkim njerëzit, të cilët kryen krime naziste mbi popullin e vet shqiptar gjatë kohës së komunizmit. Në dhjetor të vitit të kaluar, pas një sërë debatesh, Kuvendi i Shqipërisë miratoi të ashtuquajturin Ligj të Hapjes së Dosjeve të Spiunëve. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përkundër reagimeve të shumta, madje edhe nga faktori ndërkombëtar, është shprehur i vendosur që të hapen dosjet e atyre që gjatë kohës së komunizmit torturuan, burgosën dhe vranë në mënyrën më mizore popullin e vet. Varja në litar e intelektualit nga Kukësi, Havzi Nela, është dëshmia më e mirë që duhet të forcojë mendimin dhe vendimin për hapjen e dosjeve të atyre që bënë krime të tilla. Që njerëzit të marrin vesh se cilët ishin ata që në bashkëpunim me Sigurimin shtetëror torturuan burgjeve njerëz të pafajshëm, atëherë është e domosdoshme që në Shqipëri duhet të hapen dosjet, të ndriçohen dhe të dënohen krimet që janë bërë gjatë kohës së komunizmit. Konsideroj se ka ardhur koha që ne si komb ta kontrollojmë ndërgjegjen tonë. Për këtë sigurisht që duhet një kujdes i veçantë. Dhimbje dhe forcë. Nuk mendoj se me hapjen e dosjeve duhet ta shembim njeriun. Përkundrazi, hapja e tyre duhet të shërbejë vetëm që helmi të zbrazet nga plagët. Hapja e dosjeve nuk duhet të shikohet si thirrje për varje te sheshi të atyre që duke i shërbyer regjimit komunist, burgosën dhe vranë njerëzit, vetëm pse kërkonin të drejtat e tyre jetësore. Debati rreth çështjes së hapjes së dosjeve përveçse në Shqipëri është aktualizuar edhe në Kosovë. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, deri më tash nuk janë hapur hetimet ndaj atyre që kanë qenë pjesë të sistemit komunist të ish- Jugosllavisë. Numri i tyre fatkeqësisht nuk është i vogël. Nuk fillon me Fadil Hoxhën, Ali Shukrinë, por as nuk përfundon me Hilmi Zhitinë. Hapja e dosjeve edhe në Kosovë padyshim që duhet të shikohet në kontekstin pozitiv, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndriçohet historia e errët e sistemit komunist të ish-Jugosllavisë së Titos. Edhe në Kosovë gjatë viteve 1945-1989, nga sistemi komunist i Jugosllavisë u burgosën, torturuan dhe u vranë në mënyrën më mizore qindra njerëz, të cilët deri më tash ende nuk janë ndriçuar. Prandaj, hapja e dosjeve edhe në Kosovë duhet të shikohet në kontekstin pozitiv, në mënyrë që të ndriçohen vrasjet çnjerëzore që ndodhën në kohën e kolonizimit të ish-Jugosllavisë. Ekonomisti i njohur kroat. Dr. Brako Horvat, një ndër intelektualët e parë dhe të rrallë të ish-Jugosllavisë, i cili pati kurajën të ngrihet në mbrojtje të çështjes shqiptare në kohën e vërsuljeve më të mëdha serbe-shoviniste kundër çdo gjëje shqiptare, me të drejtë pat thënë se ngjarjet historike nuk “anulohen” dhe nuk “ringjallen”. “Ato thjesht kanë ndodhur dhe si të tilla duhet të studiohen e të nxirret mësim prej tyre”, - pat thënë Horvat. As dosjet në Shqipëri dhe Kosovë nuk duhet të anashkalohen, anulohen dhe ringjallen, por thjesht duhet të hapen dhe të dënohen. Çdo bashkëpunëtor i regjimit të komunizmit në Shqipëri dhe Kosovë duhet të marrë atë që e meriton, varësisht nga pozita dhe dëmet që i ka shkaktuar gjatë kohës komuniste. Këtu nuk duhet të bëjë askush përjashtime. Pa dyshim se e kaluara dikujt i dhemb, shqiptarët në të dyja anët e kufirit nuk mund të mbesin peng si shoqëri dhe si popull në zhvillimin drejt qytetërimit evropian. Ata që gjatë kohës së komunizmit kanë krijuar biografinë e errët duhet të dënohen jo me vrasje apo me varje në litar, siç kanë vepruar ata gjatë kohës së “artë” të tyre, por së paku me largimin nga postet udhëheqëse të vendit. Institucionet në Shqipëri dhe në Kosovë nuk mund të quhen demokratike, përderisa në krye të tyre qëndrojnë ish-komunistët e Hoxhës e Titos. Nuk mund të ketë përparime dhe integrime në BE me njerëz që ende mbajnë në xhep “librezë të kuqe”. Me hapjen e dosjeve, përveçse do të ndriçohen vrasjet e kohës së komunizmit, siç është rasti i H. Nelës në Shqipëri dhe shumë viktimave të tjera të bëra nga ish-Jugosllavia në Kosovë, dy shteteve do t’u hapet rruga e zhvillimit dhe integrimit. Prandaj, me hapjen e dosjeve Shqipëria dhe Kosova do të shpëtojnë nga historia dhe ideologjia e tmerrshme komuniste.