Kur Kuvendi drejtohet si kafene lagjesh
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me arrogancën që e karakterizon, arriti të na vinte dhe një herë në qendër të një debati të panevojshëm për ne dhe të çuditshëm në sytë e ndërkombëtarëve. Një letër e dërguar kryetarit të Asamblesë së KE, Terry Davis, e lajmëronte atë se Topalli kishte shkarkuar nga detyra nënkryetarin e Asamblesë Parlamentare të KE, Aleksandër Biberaj. Vetëm me një letër bakalli dhe jashtë kompetencave të saj, Topalli lajmëronte se në këtë post është caktuar dikush tjetër, ndërkohë që Biberaj ishte dhe raportuesi i krimeve të komunizmit në Ukrainë. Duhet sqaruar se në tërë këto vite posti i nënkryetarit të Asamblesë është më i larti që ka mbajtur Shqipëria në këtë organizëm evropian.
Imazhi që la shteti shqiptar në këtë organizëm, s’ka nevojë për koment, sepse komentet i bënë vetë ndërkombëtarët. U pa qartë se në sytë e tyre ne bëjmë imazhin e një shteti në degradim e sipër, që vendos në bazë të orekseve dhe inateve të atyre që janë zgjedhur për të qeverisur. Akoma më qesharak ishte arsyetimi që, sipas Topallit, Biberaj paska abuzuar me fondet e Kuvendit, për nja tri udhëtime që paska bërë ky i fundit. Faksin e dërguar nga një agjenci, kryetarja e Kuvendit e tundi si shpatën e triumfit kundër një deputeti që përfaqëson Shqipërinë në një organizëm kaq të lartë. Ndërsa PD, megjithëse vlerësonte dje lart rolin e Biberajt në këtë organizëm, sërish këtë palaçollëk e konsideroi si një “kompetencë të kryetares së Kuvendit”.
Kryetarja e Kuvendit, e cila flet për abuzimet me dietat e Biberajt, mund të thuhet se është njeriu që ka udhëtuar më shumë në këtë shtet me fondet e institucionit që ajo drejton. Kryetarja ndërmerr udhëtime për Kosovën, ndërmerr udhëtime për MSA, ndërmerr udhëtime për anëtarësimin në NATO, për mbretëreshën Elisabet që do flasë në parlamentin britanik, për të drejtat e njeriut, për të drejtat e grave. I vetmi tur që ka ndërmarrë nëpër fshatrat shqiptare ka qenë ai për kancerin në qafën e mitrës.
Së fundi, kryetarja, së bashku me një delegacion, shkoi në Uashington me rastin e marrjes së presidencës së SHBA nga presidenti Obama, i cili u shoqërua dhe me një skandal tjetër. Sa për sqarim, duhet saktësuar se në këtë eveniment të gjithë pjesëmarrësit shkojnë atje privatisht. Pra, Shtëpia e Bardhë nuk dërgon ftesa zyrtare për këtë eveniment. Ftesat për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit presidencial në SHBA mund të gjenden fare lehtë dhe në internet, kundrejt shumës prej 20 dollarësh. Me pak fjalë, si Erion Veliaj, ashtu dhe kryetarja e Kuvendit kanë pasur të njëjtin status në këtë ceremoni, vetëm se Erion Veliaj ka shkuar atje me paratë e G99, dhe Jozefina Topalli me paratë e Kuvendit, por e shoqëruar në këtë eveniment nga një shpurë njerëzish. Askush nuk e akuzoi kryetaren për këtë veprim, që u shit si ftesë zyrtare e Shtëpisë së Bardhë.
Nga ana tjetër, publikimi i disa fotove në faqen e internetit ishin një skandal tjetër akoma më i rëndë. Kryetarja kishte ngatërruar një hotelier amerikan, natyrisht njeri i nderuar, me një kongresmen, duke kërkuar që të tregojë takimet e niveleve të larta që kishte pasur atje. Kryetarja vetë u mjaftua me një falje për gabimin që ishte bërë, megjithëse këto gabime janë të pafalshme, kur bëhet fjalë për njoftime zyrtare që njoftojnë takimet e kryetares.
Aleksandër Biberaj, në këtë rast, ishte vendi i shkarkimit të inatit të kryetares, e cila do mbahet mend për mënyrën e veçantë si e ka drejtuar Kuvendin. Gjithsesi, në telendisjen e shumtë që po na bën qeveria në sytë e ndërkombëtarëve, e cila akuzohet për korrupsion dhe autoritarizëm, jo pak imazh negativ po na krijon dhe inati i papërmbajtur i zonjës Topalli, e cila duket se po e drejton Kuvendin jo si vendin ku hartohen ligje, vendin ku merren vendime dhe ndërtohet imazhi i këtij vendi, por si ndonjë kafene thashethemesh, ku mund të nxjerrësh jashtë këdo që nuk i pëlqen Berishës apo kryetares.