E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta për KQZ dhe emrat e mundshëm

Nga Lek Zadrima

KQZ e re, e cila ka në dorë procesin zgjedhor, si institucioni më i rëndësishëm dhe më delikat në këtë proces, nuk po krijohet akoma. Kjo nuk ndodh, sepse partitë kryesore janë shumë të zëna me punë dhe nuk kanë nge të merren me KQZ. Nëse nuk kanë kohë tani 5 muaj para zgjedhjeve, kur do të kenë tjetër? Pra, problemi qëndron gjetiu. Përsëri dy partitë, PD dhe PS, po ruajnë në heshtje në frëngjitë e tyre me pushkë për faqe, njëri-tjetrin, pra kush do të hedhë emra i pari. Dhe afërmendsh këtë situatë ua jep vetë Kodi Zgjedhor, pasi të dyja kanë të drejtë të eliminojnë emra të njëra-tjetrës. Pra, si të thuash kanë interes që kundërshtari të përfaqësohet me njerëz të paaftë, që nuk e njohin procesin, por mbi të gjitha me njerëz të lëkundur, sa më pak militantë. Kuptohet që kjo do të degradojë në emra ekstra militantësh, që kanë dhënë prova të mëdha besimi se zbatojnë urdhrat e partisë. Kjo lloj lufte e ftohtë, në heshtje e jo në sherr e zhurmë, siç jemi mësuar t’i shohim rëndom, është përdorur që kur u hartua Kodi nga komisioni parlamentar. Debati për KQZ e vonoi me shumë se gjithçka tjetër, sepse të tjerat i bëri opozita siç deshi, pasi leja nga kryeministri ishte dhënë: “Kodin ta bëjë opozita si të dojë”. Pra, problem ishte vetëm KQZ. Njeri variant ishte që KQZ ta merrte opozita. Por Rama nuk e hëngri këtë, se do t’i duhej të merrte përsipër përgjegjësinë. E thënë me shkurt, të kesh KQZ, nuk është se ke ndonjë gjë të madhe në zgjedhje, vetëm përgjegjësi. Ndaj dhe KQZ i mbeti qeverisë.

Varianti i dytë që u diskutua ishte ai i një KQZ të balancuar tre me tre, por me kryetar të paanshëm, vetëm kryetari si i tillë dhe me kompetenca të mëdha. Edhe ky variant ra.

Si përfundim mbeti varianti i miratuar tashmë, një KQZ me shtatë anëtarë, me balancim politik tre me tre dhe me kryetar nga mazhoranca. Anëtarët e mazhorancës, jo vetëm që do të zgjidhen nëpërmjet metodës se seleksionimit nga kundërshtari, por s`do të kenë ndonjë gjë të madhe në dorë pa lejen e opozitës, siç janë rastet e shumta me pesë vota apo kryetari për çdo veprim do firmën e zv/kryetarit. Pa folur këtu për të drejtën e rinumërimit të votave vetëm nga dy anëtarë. Kështu që tani situata ka mbetur në emërimet e anëtarëve dhe sidomos të kryetarit. Nën tavolina po fliten shumë emra për kryetarë, të vjetër e të rinj.

Një emër goxha i përfolur dhe i njohur mediatikisht edhe si ish-kryetari i zgjedhjeve të vështira të `97 është edhe zoti Kume. Ky i fundit drejton një institut që merret me studimet për zgjedhjet. Do të ishte një figurë me të vërtetë konsensuale, sepse asnjë nga palët nuk e ka sulmuar qoftë edhe një herë të vetme. Gjithashtu, një emër i përfolur është ai i ekspertit kryesor të PD në Komisioni për Reformën Zgjedhore, Oert Bylykbashi. Një emër që socialistët nuk kanë si e kundërshtojnë, sepse me të arritën konsensusin në fushën e ekspertizës dhe do të mohonin vetë Kodin, që e kanë lavdëruar aq shumë, po të hedhin poshtë ekspertin kryesor me të cilin punuan.

Gjithashtu, përmenden edhe emra të tjerë fare të rinj të panjohur, por problemi kryesor qëndron te besimi se sa të bindur do të jenë anëtarët ndaj shefave që i kanë emëruar aty. Kjo është kryesorja. Të gjitha këto të japin pak shpresë për zgjedhje të lira sipas kërkesave të Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha askush nuk garanton se pas zgjedhjeve nuk do të rifillojë përsëri reforma zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›