E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: “Nder dhe respekt për heronjtë e demokracisë që ranë më 2 prill në masakrën e Shkodrës”



Në 18-vjetorin e masakrës së Shkodrës, kur humbën jetën heronjtë e demokracisë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Çeka e Nazmi Kryeziu, deputeti i Partisë Demokratike, pjesëmarrës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, përcjell nder dhe respekt për këta heronj të demokracisë. “Megjithëse sot mbushen 18 vjet nga masakra e prillit e regjimit komunist, fatkeqësisht ajo ngjarje nuk është zbardhur akoma”, - theksoi Biberaj. Me këtë rast, ai përcjell nder dhe respekt për një nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit të vitit 1990 Arben Broci, për liderin e kësaj lëvizjeje studentore Azem Hajdari, për dhjetoristin tjetër martir Avdyl Matoshi, si dhe për të gjithë dhjetoristët që dhanë jetën e tyre në emër të idealeve demokratike. “Idealet e dhjetorit ’90 nuk mund të vdesin kurrë. Fatkeqësisht, ish-strukturat e PPSH-së dhe të ish-Sigurimit të Shtetit, që projektuan, ideuan dhe drejtuan këto vrasje të pastra politike, janë edhe sot në politikë. Politika shqiptare nuk u shkëput dhe nuk u pastrua nga e kaluara e inkriminuar e regjimit komunist dhe ish-Sigurimit të Shtetit. Pastrimi i politikës nga kjo e kaluar mbetet detyrë imediate e asaj pjese të pastër të politikës shqiptare që lindi në dhjetorin ’90 dhe që përfaqësohet nga idelaet dhe idealistët e dhjetorit ‘90”, - theksoi Biberaj.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›