Patozi, tur paralel në komuna për Shqipërinë në NATO
Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, ka ndërmarrë një tur në komunat e vendit ku ka vënë theksin te meritat e qeverisë për anëtarësimin e vendit në NATO. Turi i Patozit i bashkëngjitet në këtë mënyrë turit të ndërmarrë jo vetëm nga kryeministri Berisha, por edhe nga nënkryetarja Topalli. Patozi ka qenë dje në Komunën e Rrashbullit në Rrethin e Durrësit. Gjatë fjalës së tij, Patozi ka vënë theksin në arritjet, bilancin, sfidat e reformat e kryera gjatë këtyre katër viteve nga qeverisja e djathtë. “Në vitin 2005, sfidat ishin aq të shumta sa për shumëkënd, e jo vetëm për skeptikët, dukej e pamundur mbajtja e premtimeve të fushatës elektorale. Por ne sot dalim të hapur para shqiptarëve e themi me bindje se jemi qeveria e fjalës së mbajtur. Kemi premtuar e realizuar dyfishimin e pagave të mësuesve dhe infermierëve, kemi kryer dyfishimin e pensioneve të ulëta në fshat, kemi ulur në mënyrë të ndjeshme taksat, e kemi kthyer Shqipërinë në një kantier ndërtimi”, - është shprehur Patozi. Sipas tij, si rezultat i këtyre reformave të ndërmarra nga qeveria u arrit anëtarësimi me të drejta të plota i Shqipërisë në Aleancën Atlantike. Duke e konsideruar hyrjen e Shqipërisë në NATO si një ngjarje madhore e me rëndësi tejet historike për vendin, Patozi tha se nga kampi tjetër kjo ditë po përpiqet të trajtohet herë si një ditë e zakonshme, herë si diçka që do ta sillte koha dhe jo vullneti qeverisës i Partisë Demokratike.
3 Prill 2009