E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS depoziton në KQZ listën e re të komisionerëve



Partia Socialiste ka dorëzuar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e saj të re të komisionerëve. Selia rozë është detyruar që të ndryshojë listën paraprake të komisionerëve të saj pasi në këtë listë nuk ishte përmbushur detyrimi që sanksionon Kodi Zgjedhor, sipas të cilit 30% e përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore në KZAZ duhet të jenë femra. Selisë rozë i është lënë afat deri në datën 3 prill për të depozituar në KQZ listën e re të komisionerëve të saj. Gjithsesi, selia rozë ka insistuar se ky detyrim nuk është përmbushur edhe nga parti të tjera. Megjithatë, deputeti socialist Fatmir Xhafaj tha se Partia Socialiste është e gatshme të plotësojë këtë kriter. “30 % i femrave? Nuk është plotësisht kështu. Ka disa KZAZ ku nuk është respektuar dhe ne në momentin që jemi vënë në dijeni të këtij fakti kemi ndërhyrë dhe unë mendoj se sot dhe nesër duhet të jetë i plotësuar dhe ky kriter”, - tha Xhafaj. Lista paraprake që depozitoi PS-ja u bë shkak i debateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesi politik i PD-së në KQZ, Njiazi Kosovrasti, tha se PS-ja shkeli hapur ligjin dhe kërkoi marrjen e sanksioneve ndaj saj.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›