CEZ: Institucionet shtetërore na kanë 3 mld lekë borxh
TIRANË-Mosshlyerja e faturave të energjisë elektrike vazhdon të jetë problem për financat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por, krahas konsumatorëve familjarë dhe bizneseve borxhlinj ndaj OSSH-së janë edhe institucionet shtetërore. Drejtori i Bordit të OSSH-së u dha afat deri në fund të javës tjetër konsumatorëve për shlyerjen e faturave pasi në të kundërt do të përballeshin me ndërprerje të energjisë elektrike.
"Nëse nuk shlyhen 70 për qind të borxheve që na kanë do të fillojmë me ndërprerjet e para të paralajmëruara të energjise dhe më pas do të kalohet në ndërprerje të përhershme. Palët e treta na detyrohen 24 miliardë lekë. Deri në fund të nëntorit borxhi i konsumatoreve familjarë ka qënë 17 miliardë lekë, ai i bizneseve 3.5 miliardë dhe ai i institucioneve shtetërore 3 miliardë", - tha Hejsek.
Sipas drejtuesve të OSSH-së, humbjet e shkaktuara nga mospagesat e faturave të energjisë bëhen pengesë për investime në përmirësimin e rrjetit dhe të shërbimit. Gjithashtu, një bilanc negativ i kompanisë bëhet pengesë për kompaninë që të marrë kredi për arsyen se bankat nuk janë të prirura që të kreditojnë një biznes i cili del me humbje.