Energjia:CEZ, rritja pesë vite rresht me nga 15 %
Drejtori i Bordit të OSSH-së, Josef Hejsek, zbardhi dje disa nga pikat e marrëveshjes me qeverinë shqiptare në të cilat parashikohet rritja e çmimit ndërmjet viteve 2010-2014 me nga 15 % plus inflacionin
TIRANË- Kur pritet që sot Enti Rregullator i Energjisë të miratojë masën rritjes së çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga janari i vitit në vijim, pronarët çekë të OSSH-së i kanë rikujtuar qeverisë kushtet e kontratës së firmosur gjatë privatizimit të saj.
Drejtori i Bordit të OSSH-së, Jozef Hejsek, publikoi dje në një konferencë shtypi kushtet e rritjes së çmimit të energjisë që parashikohen në deklaratën rregullatore të firmosur midis qeverisë shqiptare dhe investitorëve çekë gjatë privatizimit të OSSH-së. Mësohet se që në fillim qeveria ka pranuar rritje të çmimit të energjisë mbi 15 për qind plus normën e inflacionit për pesë vitet në vazhdim.
Kjo pikë e kontratës është pranuar nga ekzekutivi shqiptar para vendosjes së firmës në dokument, dhe investitorët çekë gëzojnë të drejtën që të kërkojnë respektimin e saj sipas kushteve të përcaktuara.
"Në marrëveshjen ndërmjet CEZ-it dhe qeverisë shqiptare, të dy palët kanë rënë dakord që duke filluar nga viti 2010 deri në vitin 2014 çmimi i energjisë të rritet 15 për qind plus inflacionin.
Kjo është një garanci edhe për planin e investimeve që ne kemi rënë dakord me qeverinë tuaj. Enti Rregullator i Energjisë është i detyruar të zbatojë këtë deklaratë që është firmosur nga qeveria. Nuk ka asnjë arsye që të devijohet nga marrëveshja", - tha Hejsek.
Deri më tani, zyrtarisht OSSH ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë deri në masën 44.2 për qind brenda viteve 2010-2011.
Por, nëse i referohemi asaj çka tha dje Hejsek, kemi të bëjmë më një rritje për pesë vite rresht me nga 15 për qind plus inflacionin. Nëse inflacioni qëndron në nivelet mesatare prej 3 për qind në vit pritet që deri në fund të vitit 2014 parashikohet që konsumatorët shqiptarë të përballen me një shtrenjtim të energjisë me 90 për qind në krahasim me çmimin që ajo paguhet sot.
Në fakt, që në fillimin e bisedimeve për privatizimin e OSSH-së investitorët çekë kishin kërkuar që rritja e çmimit të energjisë të fillohej nga viti 2009 deri në 2014-ën në proporcion me minimizimin e humbjeve çka do t'i jepte mundësi kompanisë që të përmirësonte treguesit e saj ekonomikë.
Në këtë rast, masa e rritjes do të përpjesëtohej me gjashtë vite dhe jo me pesë dhe do të ishte më e përballueshme për konsumatorët.
Por kjo kërkesë e tyre u kundërshtua nga qeveria me frikën se një rritje e energjisë elektrike do të sillte kosto politike në një vit elektoral siç ishte 2009-a.
Duket se në vendimin që pritet të marrë sot Enti Rregullator nuk ka shumë mundësi zgjedhjeje.
Ose te miratojë të plotë kërkesën e OSSH-së ose shteti shqiptar do të detyrohet të shlyejë një kredi 60 milionë euro në favor të çekëve. Kësaj pike të marrëveshjes i është referuar dje edhe drejtori i OSSH-së, Jozef Hejsek.
Gjatë fjalës së tij, ai bëri të ditur se nëse rritja nuk është në masën e kërkuar, CEZ do t'i drejtohet Bankës Botërore për të futur në veprim kredinë 60 milionë euro në favor të kësaj kompanie.
Duke parë se kishin të bënin më një sektor që vit pas viti shënonte humbje, gjatë negociatave për blerjen e OSSH-së investitorët çekë kërkuan nga banka Botërore që të hynte garant nëpërmjet një kredie 60 milionë euro, e cila do të zhbllokohej në favor të tyre nëse shteti shqiptar nuk do të respektonte ndonjë pikë të marrëveshjes, në rastin konkret rritja e çmimit të energjisë.
Do të mjaftonte që ERE t'i thotë "Jo" sot rritjes së çmimit në masën e kërkuar dhe CEZ do të përfitonte automatikisht në arkën e saj një kredi tregtare 60 milionë euro e cila do të shlyhej nga shteti shqiptar.