E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS proteston sot para Parlamentit

Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste proteston sot para Parlamentit të Shqipërisë nën moton “Berisha hap kutitë ose largohu”. Në qendër të protestës së sotme ashtu si gjatë gjithë kësaj jave, do të jetë kriza ekonomike në të cilën është zhytur vendi. Rritja e çmimit të energjisë, rreziku i falimentimit të bizneseve të vogla por dhe mungesa e shpërblimeve për fundvit ashtu si çdo vit tjetër do të jenë disa nga çështjet shqetësuese për të cilat do të flasin sot socialistët. Deputetja socialiste, Vasilika Hysi u ka bërë thirrje shqiptarëve të bëhen pjesë e kësaj proteste e cila sipas saj, në thelb është për mbrojtjen e të drejtave më e elementare që duhet të ekzistojnë në themelet e një demokracie.
Ftesa
“Sot, ne shqiptarët në vend që të gëzojmë së bashku me familjet tona ardhjen e Vitit të Ri dhe të urojmë për një Vit të Ri më të mirë, drithërohemi nga pamundësia e gëzimit të festës për shkak të krizës ekonomike që ka kapur pllakosur e që ka boshatisur dhe do të vazhdojë të boshatisë xhepat tanë”, - tha dje Hysi. Sipas saj përditë e më shumë po del në pah se qeverisja ka injoruar dhe nuk po mendon për gjithë ata shqiptarë që për shkak të krizës ekonomike, diskriminimit gjinor, politik ose social janë të papunë dhe kanë shtuar radhët e personave që blejnë me listë, madje edhe në mes të Tiranës. “Sot, ne shqiptarët po shohim një qeverisje që po shpërfill qindra e mijëra persona të sëmurë, jetimë, të paaftë, pensionistë, familje të grupeve rome dhe egjiptianë, familje të braktisura dhe të harruara në fshatrat shqiptare, ish-ushtarakë, të cilat nuk mund të paguajnë energjinë elektrike, nuk mund të përfitojnë shërbimet shëndetësore dhe nuk mund të gëzojnë ardhjen e një viti të ri për shkak të rritjes së çmimeve”, - ka renditur ligjvënësja socialiste. “Bashkohuni në protestën tonë, nesër, ditën e hënë më 21 dhjetor, në orën 5 pasdite, përpara sallës së Parlamentit. Ejani të protestojmë në emër të të drejtave tona më elementare të njeriut, për të jetuar të lirë, si qenie humane dhe të barabartë”, - bëri thirrje Hysi. Më anë të këtij reagimi qytetar socialistët duan ti thonë jo varfërisë, papunësisë, mungesës së mirëqenies minimale, përfitimit të kujdesit shëndetësor për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisjes por dhe ti japë fund mungesës së demokracisë dhe transparencës në marrjen e vendimeve që afektojmë miliona shqiptarë. Sipas Hysit, pavarësisht bindjes politike, besimit, moshës dhe pozitës sociale, të gjithë duhet të ngrenë zërin në mbështetje të qindra mijërave familjeve në nevojë, të personave me aftësi të kufizuara, të pensionistëve, të fëmijëve jetime që sot, dhe akoma me keq nesër, nuk do të jenë në gjendje të paguajnë energjinë elektrike, shërbimet shëndetësore dhe të sigurojnë minimumin jetik të jetesës së tyre. “Ejani dhe ti tregojmë Qeverisë që mbyll sytë dhe bën veshin shurdhër para krizës së demokracisë, asaj ekonomike dhe kërkesave të vazhdueshme të opozitës për qeverisje të përgjegjshme, se ne nuk e meritojmë këtë formë qeverisje. Ajo ose të hapë kutitë ose të largohet. Protestat tona për hapjen e kutive dhe kundër reformave të ndërmarra në fshehtësi dhe në mungesë konsultimi, janë vullneti ynë për ti dhënë fund krizës së demokracisë dhe rrënimit të ekonomisë për shkak të një qeverisjeje që qëndron mbi të qeverisurit dhe që nuk mendon aspak për ta”, - përfundoi thirrje e saj Hysi. Protesta e sotme mbyll valën e protestave një javore të zhvilluara në Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Lezhë etj.

Ky lajm është publikuar: 21/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›