Liberalizimi i vizave, Berisha, detyrime ministrave
Kryeministri Sali Berisha garantoi se qeveria e tij do të përmbushë të gjitha detyrimet për një përgjigje pozitive nga Brukseli për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Kreu i qeverisë mblodhi dje Komitetin Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, ku u kërkoi ministrave zbatimin e detyrimeve. Në muajt në vazhdim, Shqipëria do të vizitohet nga faktmbledhës të cilët do t’i dorëzojnë Komisionit Evropian një raport për ecurinë e Shqipërisë. Raporti në fjalë do të dorëzohet në muajin maj dhe përgjigjja e tij do të jetë e rëndësishme në rast se shqiptarët do të udhëtojnë pa viza ose jo. Në këto kushte, Kryeministri Berisha tha se nuk do të humbet ky rast dhe këtë proces e cilësoi si parësor për qeverinë e tij. “Liberalizimi i vizave është pjesë e procesit të integrimit, por për qytetarët shqiptarë kjo është ndoshta dhe pjesa më palcore e procesit të integrimit, pasi lëvizja e lirë e tyre në hapësirën evropiane është përfitimi i parë madhor dhe më kryesor që ata kanë nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian”, - tha Berisha i cili iu drejtua ministrave duke u kërkuar maksimumin prej tyre. Kryeministri Berisha theksoi se është shumë e domosdoshme është që çdo agjenci dhe çdo ministri të shqyrtojë me hollësi të gjitha detyrimet e veta, pasi ekipet që vinë për të parë gjendjen në vend, në një numër shumë të madh takimesh me institucione të ndryshme, do të bëjnë një raport pothuajse përcaktues, pasi në maj mblidhet Komisioni për të marrë vendime të rëndësishme. “Z. ministër i Brendshëm, është shumë e rëndësishme të intensifikohen takimet me të gjithë homologët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve anëtare për të prezantuar arritjet dhe përpjekjet tona në luftën kundër kriminalitetit, kundër korrupsionit, në kontrollin e integruar të kufijve, si dhe gatishmërinë tonë për të gjitha llojet e marrëveshjeve të ekstradimit dhe riatdhesimi me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që shkalla e sigurisë dhe e besimit ndaj shqiptarëve të rritet”, - deklaroi Berisha. Ai shtoi se çdo kritikë do të marrë përgjigje nga rezultatet që ka arritur qeveria. Gjatë mbledhjes së Komitetit, Kryeministri u shpreh optimist për rezultatin. Ai tha se reformat kanë ecur në bazë të rekomandimeve të BE-së. Sipas tij, qytetarët shqiptarë po pajisen me dokumente të teknologjisë më të përparuar dhe raportet ndërkombëtare evidentojnë ndryshimin. “Shumë pozitive dhe të rëndësishme janë veçanërisht raportet më të fundit, të cilat dëshmojnë se Shqipëria ka bërë përparime thelbësore në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe që dëshmojnë se Shqipëria nuk është më rrugë kryesore apo transiti e trafikut të drogës drejt Perëndimit, por kjo rrugë ndjek tani trajektore të tjera”, - tha Berisha duke shtuar: “Shqipëria është një vend me tregues kriminaliteti qartësisht më të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian, por ne do ta ulim edhe më tej”. Ai premtoi rritjen e luftës nga krimit, trafiqeve dhe korrupsionit. Në fund të mbledhjes, Kryeministri Berisha theksoi se është shumë e domosdoshme që çdo agjenci dhe çdo ministri të shqyrtojë me hollësi të gjitha detyrimet e veta. Sipas tij, ekipet e KE-së që do të vijnë për të parë gjendjen në vend, do të realizojnë një numër shumë të madh takimesh me institucione të ndryshme, dhe në raportin e tyre, pothuajse përcaktues të muajit maj, Komisioni Evropian do të marrë vendime të rëndësishme.
Basha: Rritje të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, priti dje në një takim kryetarin e Grupit të Miqësisë Greqi-Shqipëri në Parlamentin grek, Georgios Tryfonidis, ku të dyja personalitet vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve. Në veçanti, Ministri Basha theksoi se mes dy vendeve mike ekzistojnë mundësi të mëtejshme për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Me të njëjtat vlerësime ka folur edhe Tryfonidis i cili evidentoi se mes dy vendeve ka shumë fusha me interes të ndërsjellë. Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve që ekzistojnë mes dy vendeve, si vende fqinje dhe mike me histori, me afërsi e lidhje tradicionale bashkëpunimi. Njëkohësisht ai falënderoi në mënyrë të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme që Greqia dhe Parlamenti i saj i kanë dhënë dhe po i japin Shqipërisë në realizimin e aspiratës së saj, integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Personaliteti grek, Tryfonidis, vlerësoi hapat e bërë nga Shqipëria në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike, si dhe në realizimin me sukses të reformave dhe projekteve të ndërmarra nga qeveria shqiptare në ekonomi, infrastrukturë, turizëm etj.
Kryeministri kinez Ëen Jiabao, takim me Berishën
Kryeministri Sali Berisha ka marrë një ftesë nga homologu i tij kinez Ëen Jiabao, për një takim gjatë Samitit Ekonomik të Azisë, i cili do të mbahet pas pak kohësh. Ftesën Berisha e mori nga asistentministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Ëo Hongbo, i cili u takua dje me Kryeministrin shqiptar. Diplomati kinez i kërkoi Berishës mundësinë e një takimi mes të dy personaliteteve gjatë zhvillimit të Samitit Ekonomik të Azisë, ku Berisha pritet të marrë pjesë. Njëkohësisht, Kryeministri Berisha shprehu dëshirën e tij dhe të qeverisë shqiptare për një vizitë të Kryeministrit të Kinës në Shqipëri. Hongbo tha se kjo ftesë do të pritej me kënaqësi nga Kryeministri i Kinës si një zhvillim historik dhe inkurajim në marrëdhëniet midis dy vendeve. Diplomati Hongbo u shpreh se marrëdhëniet me Shqipërinë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të politikës së Jashtme të Kinës në Evropë. “Kina e konsideron Shqipërinë mike të vjetër dhe partnere me rëndësi në Evropën Juglindore. Ne kemi mbështetur Shqipërinë në proceset e saj integruese dhe të zhvillimit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, - u shpreh Hongbo, i cili shtoi: “Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë provuar nga historia”. Biseda më tej u ndal në rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se kompanitë kineze janë të mirëpritura të investojnë në Shqipëri në fusha me interes për ta, si në miniera, energji, infrastrukturë, turizëm etj. Ai siguroi se qeveria shqiptare do të ofrojë të gjitha lehtësitë për bizneset kineze që të kenë një histori suksesi në investimet e tyre në Shqipëri. Mes dy personaliteteve u diskutua edhe për mundësinë e një kredie të butë për qeverinë shqiptare, e cila do të përdoret për thellimin e ndihmës të Kinës në kuadër të përhapjes së mëtejshme të informatizimit të shoqërisë shqiptare etj. Diplomati kinez u shpreh se Kina mirëpret produktet shqiptare në tregun e saj.