E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: Të hapen edhe dosjet për spiunët e agjenturave të huaja

Dosjet duhet të hapen, por ndërsa projektet e deritanishme parashikojnë zbulimin e spiunëve të Sigurimit, deputeti Aleksandër Biberaj në një intervistë për gazetarin Basir Çollaku në emisionin “Proces” në “Mediasat”, ka kërkuar edhe hapjen e dosjeve të shqiptarëve, që u kanë shërbyer agjenturave të huaja. “Nuk është paradoksale çështja e shërbimeve sekrete të huaja, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm”, - thotë Biberaj gjatë intervistës. Ai për herë të parë tërheq vëmendjen drejt “një elementi tjetër”, që sipas tij, ka të bëjë me të rekrutuarit sekretë të shërbimeve sekrete të vendeve të rajonit. Kjo nënkupton që hapja e dosjeve duhet përfundimisht të zbardhë edhe emrat e personave që kanë shërbyer kundër vendit të tyre, por që kanë qenë të zbuluar nga shërbimi jonë informativ. Në Parlamentin shqiptar jo rrallë janë hedhur akuza për spiunë të UDB-së serbe apo agjenturave të tjera, shpesh me qëndrime armiqësore, veç deri tani këto kanë mbetur në vazhdën e fjalëve dhe projekti i Biberajt që ka edhe mbështetjen e Kryeministrit Berisha kërkon përfundimisht të hedhë dritë edhe mbi këto emra. Sipas Aleksandër Biberajt, variantet e Partisë Demokratike që kanë shkuar në Kuvend për të njëjtin qëllim deri tani, kanë disa probleme të cilat ai shpreson të jenë lapsuse dhe jo të qëllimshme. Biberaj flet për variantet dhe mënyrat e ndryshme që parashikojnë nisma, që sipas tij janë marrë nga eksperiencat më të mira në Evropë. Gjatë intervistës dhënë gazetarit Basir Çollaku, Biberaj tregon edhe për punën e ngjashme që do të kryejë në Ukrainë si i ngarkuar nga Këshilli i Evropës.

Iniciativa për dosjet, hera e tretë do të përfundojë me sukses?

Vë re gjatë kohëve të fundit një vullnet pozitiv të PD-së, vullnet që ka ardhur nga Kryeministri që duhet përshëndetur për mbështetjen e nismës, për të hequr këtë gur në qafë të shoqërisë shqiptare

Është koha për të pastruar shoqërinë shqiptare, është një shtrirje e gjerë që ka parashikuar drafti juaj?

Në një mbledhje të grupit parlamentar të PD, kur është diskutuar kjo çështje, unë kam rënë dakord me Kryeministrin Sali Berisha, që gjej momentin për ta përshëndetur për mbështetjen se do të përgatisë një ligj integral për hapjen e dosjeve, duke pasur parasysh tre projektligje që janë depozituar prej dy vitesh në Kuvendin e Shqipërisë, por dhe ligjin e zbatuar në vitet ‘95-‘96, gjithashtu dhe gjithë amendimet që janë bërë, si dhe eksperiencën e vendeve anëtare të KE-së, që vijnë nga e kaluara komuniste. Kam punuar prej kohësh për këtë iniciative dhe e kam dorëzuar projektin dhe ditën e hënë do të jetë mundësia për t’u diskutuar. Ndonëse projektet e mëparshme janë të vjetra, ndoshta më shumë se koha e dorëzimit

Në ç’kontekst?

Ndoshta nga mënyra e trajtimit të fenomenit, pasi unë kam parë që parlamentet e këtyre vendeve kanë reaguar lidhur me situatat. Në fazën e parë janë përcaktuar hapjet e dosjeve për përfaqësuesit politikë dhe administratën e lartë. Janë përcaktuar shtresat. Në një fazë tjetër është kaluar në hapjen e dosjeve dhe për njerëzit e medias, për arsimin, për përfaqësues fetar deri në ardhjen e momentit për hapjen e të gjitha dosjeve. Më mirë ka vepruar Gjermania, që në vitin 1991, hartoi një ligj, në bazë të të cilit u hapën të gjitha dosjet dhe gjithë informacioni është në një database dhe çdo qytetar mund të verifikojë të dhënat për vete, për familjen dhe për këdo tjetër që pretendon. Dhe në bazë të të dhënave janë mbi 21 milionë gjermanë që kanë marrë informacion në këtë arkiv. Historia evropiane në këtë drejtim ka njohur zhvillim dhe në këtë moment që ne jemi sot në të gjitha vendet e Evropës Juglindore, janë hapur dosjet dhe janë të aksesueshme nga çdo qytetar

Është kjo sipërmarrje një detyrim moral dhe për të persekutuarit, a janë ata ende nën pushtetin e Sigurimit?

Realisht dhe fatkeqësisht përderisa nuk kemi pasur një proces pastrimi të persekutuarit mbeten sërish të tillë, për sa kohë drejtohen nga persona, e kaluara e të cilëve mund të jetë e dyshimtë. Pikërisht për ta mbyllur këtë kapitull, kam insistuar që të hapen dosjet, të hapen arkivat, është një çështje që mbyllet vetëm duke u hapur. Ndryshe kjo histori do të vazhdojë deri atëherë kur në Shqipëri të mos ketë asnjë politikan, që në vitet ‘90 si kohë fizike ka qenë më i madh se 18 vjeç, që i bie të vazhdojë dhe disa dekada, ndaj më mirë të hapen, zbardhen e mbyllet kjo histori.

Ka pasur dhe herë të tjera tentativa, është rrëzuar, ka dështuar, si do të ndodhë tani?

Shpresoj dhe besoj që kjo është hera e fundit dhe ky diskutim e debat publik do të shoqërohet me miratimin e një ligji, nuk di të them se cili variant, por shpresoj tek ajo që unë kam paraqitur në Kuvend që do të jetë zgjidhja më e mirë.

Përse, ku është përparësia?

Kam paraqitur tre opsione. Variantin gjerman që të gjitha dosjet të hapen dhe të jenë publike, por shoqëria shqiptare dhe politika shqiptare druaj se nuk është ende e përgatitur për këtë. Por për mua është version më i mirë se hapja e dosjeve dhe bërja publike, nuk lë më hapësirë për debate e mistere. Varianti i dytë është që të hapen dosjet dhe të mos bëhen publike. Por të krijohet një autoritet i verifikimit të figurave, i pavarur, më mirë të ishte teknik, të miratohet nga Kuvendi, autoritet që menaxhon dosjet e çdo qytetar paraqet kërkesë dhe mëson atë që kërkon për vete e familjen. Varianti i tretë minimal është që të hapen dosjet për politikanët, për drejtuesit e administratës publike, për sistemin e drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë, për përfaqësuesit e arsimit. Për përfaqësuesit e medias.

Nga tre draftet e mëparshme s’është parashikuar asgjë për median?

Po t’i referohemi legjislacionit të vendeve të Evropës janë hapur dosjet për të gjithë gazetarët, ndonëse ka një diskutim, se media është profesion privat. Mund të hapen për mediat publike e të diskutohet për ato private, por për mua them që duhet të hapen të gjithë dosjet e gazetarëve, është një proces pastrimi. Nëse e bëjmë për pushtetin legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, për tre pushtetet përse të mos e bëjmë dhe për pushtetin e katërt, që në shumë raste është pushtet i parë. Unë e kam paraqitur dhe këtë në draft dhe do të diskutohet në Komisionin e Ligjeve, por mund të diskutohet e negociohet. Mund të ketë dhe drafte, e amendime të tjera që vijnë për interesa të ngushta

Media është rrëzuar në variantet e tjera, duhet përfshirë?

Them se është më e dobishme që të përfshihet, por mbetet gjithçka e hapur se drafti është ende në shqyrtim.

Keni më tepër modele perëndimore?

Të gjitha vendeve ish-komuniste ku janë hapur dosje dhe për gazetarët. Po të shohim historinë e dosjeve ka pasur surpriza dhe paradokseve nga më të ndryshme, nuk kanë qenë të përjashtuar ajo pjesë që kanë qenë gazetarë.

Është përcaktuar niveli i hapjes së dosjeve?

Niveli i domosdoshëm dhe më i rëndësishëm është ai politik, ekzekutiv dhe juridik që duhet të hapen patjetër. Përmenda arsimin dhe më ka bërë shumë përshtypje sepse ishin hapur dosjet e arsimtarëve në shumë vende. Me sa duket është menduar që nëse ata kanë bashkëpunuar, mbase s’janë më të denjë për mësimdhënie, janë eksperienca dhe përvoja të ndryshme, por ka vend për diskutim. Elementi më i rëndësishëm është ai që ne po operojmë, jemi vonë, por PD që në 2005, duhet ta kishte në axhendën e saj, projektligjet ka dy vite që flenë në Kuvend, por më mirë vonë se kurrë. Është një moment që do të mbyllet pozitivisht, pasi dhe zhvillimet politike, si kërkesa për NATO, detyrimet ndaj ndërkombëtarëve, na detyrojnë të hapim dosjet. Edhe politika shqiptare ka nevojë të pastrohet dhe shoqëria shqiptare ka nevojë të pastrohet, dhe për këto persona është më mirë, sepse çlirohen nga ai peng dhe makth që kanë pasur me të kaluarën dhe këto persona shndërrohen në të lirë dhe s’kanë obligime të trashëguara dhe nuk mund të keqpërdoren. Ka dhe një element tjetër, duhet të hapen dosjet dhe për shërbimet e agjenturave të huaja. Në tranzicion janë prishur dhe strukturat e shërbimeve tona jashtë, por në vendet e rajonit nuk janë prishur, e këta persona mund të përdoren, ndaj duhen hapur dosjet që ata të mos përdoren. Nuk është paradoksale çështja e shërbimeve sekrete të huaja, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm.

Koha e parashikuar për hapje dosjesh?

I jam referuar si datë limit 31 marsit 91, strukturat e sigurimit deri në këto kohe kanë qenë aktive dhe mund të kenë bërë rekrutime, por nëse ka ekspertizë atëhere data mund të lëvizë.

Eshtë përfshirë dhe sistemi i drejtësisë i domosdoshëm?

Absolutisht ka lidhje organike dhe fizike më të madhe më të kaluarën, kryesisht prokurorë e gjykatës që kanë marrë pjesë në procese politike, e jo jurist që kanë bërë punë procedure. Një tentativë për tu shkëputur nga një e kaluar e errët. Mendoj se një nga arsyet e një tranzicioni më të vështirë, ashtu si diktatura, se politika dhe administrate dhe vendimmarrja ka qenë e përzier, nuk janë parë mirë cv, e shkuara, dhe kështu kanë mbijetuar. Historia ka argument të mjaftueshme për këtë. Jemi dhe në vitin e fundit elektoral, që nuk do të thotë se duam të përfitojmë, nuk është gjueti shtrigash. Parlamenti i 2009-s, mos të ketë bashkëpunëtore të Sigurimit.

Ka tendencë që mazhoranca ta përdorë si presion për Gjykatën e Lartë?

Jo, kjo nuk është një nismë e sotme. Votimi në Parlament për dekretet e Topit është një histori tjetër dhe është shkaktuar me vendim politik. Aty është rrëzuar një jurist përfaqësues i të persekutuarve, që ka marrë më pak vota. Kjo ngaqë dhe e majta votoi politikisht dhe ky është një mesazh që duhet lexuar se përse ky mori më pak vota. Kjo nuk është se lidhen emrat dhe nuk janë të së njëjtës kohë, ligji mund të miratohet para dhe dekreti pas, ose e kundërta, por nuk kanë lidhje. Komisioni do të jetë i matur në zbatimin e kritereve. Janë 105 kandidatë për në Gjykatën e Lartë dhe ai komision nuk mund të sjellë për votim spiunë apo bashkëpunëtorë.

Si do të jetë komisioni, sipas jush?

Kam propozuar një komision prej pesë vetash, propozim nga Presidenti, Këshilli i Ministrave, Shërbimet Informative, mazhoranca dhe opozita. Komision që mund të ketë një karakter dhe disi politik, por anoj nga karakteri teknik i komisionit dhe pëlqej modelin gjerman.

Ajo që vërehet është se mungon një përfaqësues nga të persekutuarit, duhej?

Realisht e kam menduar edhe këtë, por nuk e kam gjetur të aplikuar në asnjë vend tjetër, por mund të jetë një zgjidhje që një nga të propozuarit të jetë nga kjo shtresë, e cila duhet të jetë e unifikuar.

Dosjet si do të nisë puna?

Do të jetë një autoritet i pavarur me një buxhet të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, që të veprojë deri në 31 dhjetor 2014, që ky operacion të jetë me kohë të plotë. Pas kësaj legjislature, në dy të tjerat, të verifikohen deputetët, por nëse ka nevojë të shtyhet. Gjithë dokumentacioni, qoftë Bezhani dhe Mezini t’i kalojë këtij komisioni.

Mendoni se mbi dosjet janë vënë dorë?

Realisht gjatë kësaj kohe po merrem me çështje jashtë natyrës së punës sime, dhe pseudonimet i kam parë me indiferencë, sepse dokumenti është ai që provon këtë. Por jam marrë dhe me lëvizjet politike për dënimin e krimeve të komunizmit. Kam ndjekur reagimet e Gazidedes e Klosit që një pjesë e dosjeve janë zhdukur, sepse kanë mbaruar misionin apo një arsye tjetër, por ekzistojnë regjistrat dhe kjo është provë. Shkalla mbetet për t’u provuar, por nëse ke qenë bashkëpunëtor, moralisht je i fyer. Nuk paragjykoj askënd, individë që kanë pasur vështirësi në atë kohë, por çështja është parimore dhe morale, nëse ka ndodhur, dikush ka qenë sot nuk mund të ketë vendimmarrje, të mos japë leksione demokracie. Aq më tepër tani jemi të anëtarësuar në NATO, kemi integrim në BE, jemi të monitoruar dhe në kontaktet e mia me ndërkombëtarët, dhe ata e konsiderojnë si mbyllje të një pjese të errët që duhet të ndodhë.

Si do veprohet kur të rezultojnë kush janë të përfshirë ose jo?

Ka dy momente, verifikohet, kur rezulton i përfshirë, njoftohet personi, nëse e pranon nuk bëhet publik, nëse e ankimon, pranë komisionit, ankimimi i dytë bëhet në Gjykatën e Lartë, atëherë problemi bëhet publik. Ata që rezultojnë, s’mund të mbajnë më atë detyrë. Nëse rezulton i përfshirë, marrëdhënia e tij me punën rishitet. Në draftet e mëparshme ka një absurd. Është një projekt-nen në variantin e PD-së, që shpresoj të jetë lapsus, uroj kështu, ku thuhet që deputetë e të zgjedhurit të verifikohen kur të marrin mandatin. Por nëse zgjidhesh je i mbrojtur nga Kushtetuta, duhet të bëhesh para, verifikimi është filtër, që të mos kalosh. Këtë nen e kam hequr në variantin tim, them se ka qenë lapsus, ose një interes i caktuar, por s’e mbështes këtë.

Ishte parashikuar që të mos shkohej më shumë se hedhja në internet?

Ka vende që e kanë bërë këtë, por persona të tillë janë të detyruar që të japin vetë dorëheqjen. E detyron opinioni publik, nëse dikush është ministër edhe po s’e detyroi ligji, atëherë ai s’mund të qëndrojë më. Bëhet fjalë dhe për strukturat e Sigurimit të Shtetit, bëhet fjalë dhe për kupolën e Partisë së Punës, ish-sekretarët e parë, ish-anëtarët e byrosë politike, ish-kryetarë e nënkryetarë të komiteteve, të komitetit qendror, një pjesë e të cilëve kanë aktivitet në politik.

Parashikoni rezistencë?

Absolutisht do të ketë, por nuk mund të flas para kohe. Nuk kam pasur emra konkretë përpara kur kam bërë draftin

Sektorë të tjerë publikë kë keni parasysh?

Nuk kam pasur një database për të rreshtuar sektorët. P.sh. të gjitha ndërmarrjet shtetërore që janë me kapital shtetëror, drejtuesit e tyre do të verifikohen.

Pjesëtarë të Sigurimit mund të jenë bërë biznesmenë, mund të kenë monopole?

Ky projektligj s’ka punë me bizneset.

Mbështetje e detyrim ndaj rezolutës së KE-së?

Po me këtë lehtësohem dhe unë për atë që do bëj në Ukrainë, ku kanë nisur interesimet e para, ku më pyesin gazetarët ukrainas se çfarë përvoje keni nga vendi juaj, për të hetuar këto krime.

Ka nuanca që të shërbejë si mjet presioni për zgjedhjet e ardhshme ky projektligj?

Jo nuk besoj. E rëndësishme është miratimi, ne kemi më tepër problem me zbatimin sesa me miratimin e ligjit. Do varet shumë dhe nga autoriteti që do krijohet. Por s’ka kushte dhe mundësi manipulimi, për të ndodhur një gjueti shtrigash.

E mendoni të lehtë këtë?

Po ka vullnet nuk ka vështirësi, e shoh jo të vështirë. Po ndërhyri politika, atëherë prishet puna, por kur të miratohet ligji, atëherë puna është e ekspertëve. Politika luan deri në miratimin e ligjit. Ka shumë drafte dhe s’e dimë sa do jenë deri të hënën, pastaj do vendosë komisioni. Kur miratohet ligji merr punë në dorë komisioni, që dëshiroj të ketë karakter teknik.

Kjo iniciativë do hasë në lobing për t’u rrëzuar, sa e shikoni të realizueshme?

Është e diskutueshme. Jam optimist, nuk mund të parashikoj rezultate. Më bën optimist mbështetja që i ka dhënë kësaj nisme zoti Berisha, por dhe deputetë të tjerë në Parlament. Janë kushte e rrethana që e favorizojnë kalimin e këtij ligji.

Ka zëra kundër?

Ka pasur dhe ka zëra, ka kritika e vërejtje, akuza të shumta, që e lidhin me Gërdecin e Gjykatën e Lartë. Mendoni një të persekutuar, që shkon në gjykatë apo Ministrinë e Drejtësisë, dhe gjen atje një person që i ka shkatërruar jetën dikur dhe e sorollat përsëri sot. Ky është zhgënjim dhe e pafalshme dhe ky është shembull i dëgjuar, që ekziston. S’duhet ta mbyllim këtë histori.

Më 9 korrik nënshkruajmë protokollin për anëtarësim në NATO, presim liberalizim vizash, kandidimin për në BE, duhet ta mbyllim këtë kapitull dosjesh?

Kjo s’është e lidhur direkt me anëtarësim në BE e NATO, por indirekt. Shumica e këtyre vendeve e kanë bërë, atëherë përse të mos e bëjë Shqipëria, se do dyshohet që ne jemi ende të implikuar në këtë histori. Lidhur me vizat, vë re se ambasadat nuk kanë lëvizur në drejtimin e duhur, dhe i ftoj që të jenë më të vëmendshme, duket sikur janë ndërlikuar procedurat dhe shteti shqiptar duhet të ngrejë më shumë zërin. Do u kërkoj përfaqësive diplomatike që të shikojnë këtë pjesë të marrëveshjes së nënshkruar. BE dhe NATO kanë një predispozicion shumë të madh ndaj Shqipërisë. Ata kanë informacion për çdo gjë që ndodh në Shqipëri.

Më e vështirë për të hetuar në Ukrainë, apo dosjet në Shqipëri?

Çështja e Shqipërisë është shpirtërore, se unë jam lindur, rritur e jetoj këtu. Atje do kem asistencën e Këshillit të Evropës. Delegacioni ukrainas më ka shprehur mbështetjen, ndihmën e nevojshme, e do ta kryej me përkushtim. Ka qenë një këmbëngulje trevjeçare dhe këmbëngulja ia ka vlejtur dhe kam mbetur idealist, por shpresoj se do kemi sukses, duke pasur mbështetjen e lidershipit të mazhorancës, deputetëve, por dhe nga telefonatat, sondazhet, së paku qytetarët, shoqëria shqiptare e kërkon dhe e dëshiron këtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›