Biberaj përshëndet arritjen e krijimit të qeverisë në Maqedoni
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht zv.President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përshëndeti ditën e djeshme koalicionin të ri qeverisës në Maqedoni, VMRO-DPMNE me BDI-në. “Krijimi i qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, krijon kushte për vazhdimin e reformave, me qëllim anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE. Mbajtja e postit të zv.kryeministrit nga një përfaqësues i BDI-së është garancia më e madhe për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, e cila është jetike për të ardhmen e vendit”, - tha Biberaj. Deputeti Biberaj përshëndeti edhe qëndrimin konstruktiv të PDSH-së, e cila deklaroi kalimin në opozitë dhe mbështetje për realizimin e kërkesave të shqiptarëve, lidhur me miratimin e ligjit për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, si dhe mbajtjen e simboleve kombëtare shqiptare. Biberaj theksoi se çështja e emrit të Maqedonisë do të jetë një çështje shumë e rëndësishme e qeverisë dhe e Parlamentit të ri. Sipas tij, edhe njohja e pavarësisë së Kosovës, gjithashtu do të jetë një moment kulmor.