E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Leskaj: Hapja e dosjeve, e nevojshme, por e mjaftueshme

Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-ministri Bujar Leskaj, ka komentuar ditën e djeshme debatin e fundit politik në lidhje me hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, kjo është një nismë tepër e nevojshme, por nuk është krejt e mjaftueshme për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. “Hapja e dosjeve është kusht i nevojshëm, por jo kusht i mjaftueshëm për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Të gjithë ata që nuk e meritojnë të jenë në politikën shqiptare, për ata ne nuk duhet të kemi asnjë sentiment. Këtu nuk është problemi as për të marrë ndonjëri flamurin e kësaj lufte, këto janë parime që duhet të funksionojnë shoqëritë e vendeve ish-komuniste”, - tha Leskaj. Deputeti i PD-së e shikon këtë debat politik edhe si një mundësi për të shantazhuar pjesëtarë të politikës, të cilët kanë shërbyer në kohën e komunizmit me forma të ndryshme. “Për fatin e tyre të keq që në moment që këta persona kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit, në mënyrë vullnetare apo në mënyrë të detyruar, për mua ata janë lehtësisht të shantazhuar, janë persona që në politikë nuk ndreqin punë, janë persona që edhe në momente të rëndësishme politike janë lehtësisht të atakueshëm”, - tha Leskaj. Për ish-ministrin e kabinetit “Berisha”, në rast se në këtë qeveri ka ish-bashkëpunëtorë apo njerëz të implikuar me Sigurimin e Shtetit, ata duhet të largohen me turp. “Nëse ekzistojnë në kabinetin qeveritar duhet të largohen dhe të largohen me turp. Pasi ky ligj të kalojë në Parlament është detyrim ligjor. Është edhe detyrim moral i çdo drejtuesi institucioni, që në rast se këta persona kanë pasur dijeni, nuk kanë pse t’i punësojnë. Pastrimi nga këta individë në drejtësi dhe institucione të tjera të administratës e forcon administratën publike, forcon gjyqësorin”, - tha më tej Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›