E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë përplas Topin me Berishën

Gjykata e Lartë është shkaku i përplasjes mes Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha. Dosjet për Gërdecin dhe për rrugën Durrës-Kukës që priten të shkojnë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, kanë sjellë edhe debatin më të fundit politik mes dy figurave qendrore të shtetit, Kryeministrit dhe Presidentit. Në 18 vjet demokraci, betejat më të ashpra nuk kanë qenë ato për të marrë pushtetin, por ato për ta ruajtur atë. Prova më e fortë janë përpjekjet e qeverive të dala nga vatrat e ndryshme pushteti, shpeshherë edhe brenda vetë mazhorancave për të kontrolluar pushtetin e drejtësisë. "Mazhorancat tona kanë atë që mund të quhet problemi i demokracisë, prirjen e më të fortit për të kontrolluar gjyqësorin. Nëse gjyqësori është i varur nga politika, atëherë nuk ka demokraci", shprehet analisti Fatos Lubonja. Ai shtoi se "te ne, kapja e gjyqësorit po pengon demokracinë. Kemi një kapje të dyfishtë, kapje nga politika dhe kapje nga korrupsioni". Historia e përpjekjeve për të vënë nën kontroll drejtësinë nis me shkarkimin e prokurorit Maksim Haxhia, pas ikjes së Gramoz Pashkos nga PD-ja, i cili ishte një ndër propozuesit e Haxhisë për këtë post. "E njëjta situatë ka ndodhur edhe me Gjykatën e Lartë. Pas vitit 1997 kemi një kalim të pushtetit gjyqësor nën kontroll të pushtetit të ri politik", shprehet analisti Mero Baze. Akuzat e forta të Berishës pas marrjes së pushtetit në 2005-ën ndaj ministrave të Fatos Nanos mbetën vetëm thënie dite, pasi nuk u shoqëruan më tej në organin e akuzës. Gjatë tre viteve, mazhoranca e djathtë, megjithëse vuri në krye të KLD-së dhe drejtësisë njerëz të votuar prej saj, pa konsensusin dhe pa votat e opozitës, nuk arriti të çonte në organet e drejtësisë asnjë prej dosjeve të korrupsionit për të gjithë ata ministra të përfolur për korrupsion. Dosjet ishin vetëm flamur beteje para fushatës 2005. Ironikisht, një vit para zgjedhjeve, dy dosjet më të rëndësishme të korrupsionit përflasin njerëz influentë brenda mazhorancës. Kjo përforcon përfundimin se beteja më e fundit, ajo e Gjykatës së Lartë, ku përflitet të shkojnë dosjet e Gërdecit dhe ajo e Durrës-Kukës, është pasojë e përplasjes së vatrave të ndryshme të pushtetit brenda mazhorancës, ajo mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi. Edhe kjo betejë duket se nuk do të prodhojë asnjë standard për drejtësinë. Analisti Mero Baze e cilëson këtë betejë si personale dhe jo parimore. "Nuk jemi ende në dijeni nëse kemi të bëjmë me luftë brenda PD-së, Topi e Berisha, me gjithpushtetshmërinë e Berishës, apo kjo lidhet me çështje të tjera, si Gërdeci, ose janë të gjitha bashkë", tha Fatos Lubonja. Vlen të theksohet se politika dhe pushteti i drejtësisë kanë pasur një marrëveshje të heshtur, që nuk kanë prodhuar së paku atë që presin standardet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›