E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj mbështet idenë e heqjes së vetos në këshillimin e sigurimit të OKB-së

Autori i Lajmit: Red.
Në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Suedi, deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, në cilësinë e zv. Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ka patur një takim me përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar mbi reformën në OKB, përmirësimin e qeverisjeve në nivel global, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet OKB-së dhe KE-së. Zyra e Shtypit e deputetit Biberaj bën të ditur se OKB përfaqësohej në këtë takim nga z. Jan Eliasson (i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Darfur, si dhe ish-President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara), z. Bengt Save-Soderbergh (Ambasador i Iniciativës së Katër Kombeve për Qeverisje dhe Manaxhim në Kombet e Bashkuara), si dhe Vidar Helgesen (Sekretar i Përgjithshem i IDEA-s). Në takim është diskutuar dhe mbi mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe për rishikimin e të drejtës së vetos në këtë institucion të rëndësishëm, duke pasur tendencë heqjen e saj. Biberaj, duke pasur parasysh edhe bllokimin e padrejtë që i bëri Rusia planit të Presidentit Ahtisari për çështjen e Kosovës, e cila shfrytëzoi të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, mbështeti idenë e heqjes së të drejtës së vetos si një zhvillim pozitiv dhe në drejtimin e duhur. “Anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në OKB do t i shërbente edhe më shumë konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës, si dhe paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit”, theksoi Biberaj.
Ky lajm është publikuar: 19/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›