Biberaj në Ukrainë për zbardhjen e krimeve të Stalinit
Komiteti Politik i Këshillit të Europës ka miratuar propozimin e Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane në KE, që deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht kryetari i Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së dhe zv.president i kësaj asambleje, të jetë përfaqësues i KE-së për të zbardhur se çfarë ka ndodhur realisht në Ukrainë dhe në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik gjatë viteve 1932-1933. Në këto vite, vendet në fjalë u përball gjatë kësaj kohe me një terror politik të jashtëzakonshëm, që në histori njihet si "terrori masiv i urisë", me pasojë vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë, si dhe në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik. Në janar të këtij viti, nga 59 deputetë të Asamblesë Parlamentare të KE-së u paraqit kërkesa për raport dhe rezolutë mbi "Domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar të Holodomor (vdekje nga uria) në Ukrainë gjatë viteve 1932-1933". Ndërsa në mars, një kërkesë tjetër u paraqit nga 10 deputetë të Asamblesë për raport dhe rezolutë mbi "75-vjetorin i urisë masive në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik".
Komiteti Politik vendosi bashkimin e këtyre dy kërkesave në një raport, titullin e të cilit do ta propozojë zoti Biberaj dhe do ta miratojë mbledhja e radhës e Komitetit Politik (5 shtator 2008, Paris). Ky raport do të jetë një ndër raportet më të rëndësishme të Këshillit të Europës gjatë periudhës në vazhdim. Ai konsiderohet si vazhdimësi e raportit që KE-ja miratoi në muajin janar të vitit 2006, "Për domosdoshmërinë e dënimit të krimeve të regjimeve totalitare komuniste", i përgatitur në atë kohë nga deputeti suedez zoti Goran Lindlad, aktualisht kryetar i Komitetit Politik të KE-së. Sipas rregullores së KE-së, zoti Biberaj do të hartojë raportin me rezolutën dhe rekomandimet përkatëse, të cilat do t'i paraqiten pastaj për debat dhe miratim Komitetit Politik dhe Asamblesë Parlamentare të KE-së.
Kjo është hera e parë që një deputet i Parlamentit shqiptar zgjidhet si përfaqësues i KE-së për të përgatitur një raport, bashkë me rezolutën dhe rekomandimet përkatëse.
Biberaj: “Do të kem përkushtim maksimal”
Në një prononcim për gazetën “Albania”, deputeti Biberaj tregon axhendën e punës së tij në krye të komisionit për zbardhjen e krimeve të komunizmit në Ukrainë dhe në ish-republikat e Bashkimit Sovjetik. “Në shtator do të miratohet titulli i raportit dhe pas kësaj do të fillojmë nga puna intensive. Do të kryejmë vizita në Ukrainë, në Rusi dhe në republikat e tjera sovjetike, ku do të takohemi me ata që kanë vuajtur nga krimet e Stalinit, do të shikojmë dokumentet e kohës, do të takohemi me historianë dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme, për tu njohur me të vërtetat e masakrës së urisë. Parashikohet që puna për hartimin e raportit të zgjas për dy vjet, edhe pse kjo do të varet nga axhenda. Personalisht do të kem një përkushtim maksimal, për të hartuar një raport profesional dhe të bazuar mbi fakte historike, për të zbardhur të vërtetat e asaj kohe. Këtë gjë e kam deklaruar edhe gjatë pyetjeve të shumta, që më drejtuan eurodeputetët gjatë zhvillimit të seancës”, - tha Biberaj.
30 Qershor 2008