E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “E majta për Integrim dhe LSI-ja, opozitë ndryshe nga PS-ja”

Kreu i LSI-së, kritika ndaj opozitës së zbehur të selisë rozë. Meta kërkon dorëheqjen e Berishës, duke e cilësuar shkaktar të tragjedive

Shaban Sulçe

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar se koalicioni i ri “E majta për Integrim” do të jetë përfaqësuesi më i denjë i së majtës dhe i opozitës shqiptare. Meta, i cili ka qenë i pranishëm gjatë punimeve të Komiteti Drejtues Kombëtar të LSI-së, kritikoi politikën e ndjekur nga Partia Socialiste, duke përjashtuar bashkëpunimin me të. “Vetëm njerëz, të cilët kanë mentalitet autoritar, njerëz të cilët nuk dinë se çfarë është opozita, njerëz të cilët nuk kanë objektiv politik shkurtimin e ditëve të kësaj qeverie të dështuar dhe antipopullore, të cilët nuk kanë qëllim dorëheqjen apo largimin e Sali Berishës, por ndarjen e pushtetit dhe të korrupsionit me të cilin mund të justifikojnë pseudoreforma të tilla. Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zgjedhur një filozofi tjetër, të qartë të opozitarizmit dhe të luftës politike kundër Sali Berishës dhe keq qeverisjes së tij. Kjo është opozita me së të fortë dhe jo me zë të mekur. Kjo është lufta e fortë, me të dyja duart dhe jo duke mbajtur një dorë të lidhur mbrapa. Kjo është filozofia e oponencës së fortë, të principeve parimore, e transparencës dhe e kurajës që na jep liria për të vepruar politikisht, për të ndjekur objektivat tona si forcë politike, të njerëzve që na besojnë çdo ditë e më shumë, liria që nuk mund ta kenë ata njerëz që janë të kapur nga Berisha dhe pushteti i tij”, - tha Meta.

Dorëheqja e Berishës

Gjatë fjalës së tij në KDK-në e LSI-së, Meta lëshoi akuza të forta në drejtim të kryeministrit, Sali Berisha. Lideri i LSI-së kërkoi dorëheqjen dhe largimin e Berishës, duke e cilësuar atë jo vetëm si shkaktar të tragjedisë së Gërdecit, por edhe të shumë tragjedive të përditshme që po ndodhin sot në çdo sektor në Shqipëri. “Berisha duhet të dorëhiqet, sepse ai nuk ka asnjë të drejtë morale të qeverisë më shqiptarët, sidomos pas tragjedisë së Gërdecit, ku ai rezulton i përfshirë kokë e këmbë. Sepse, ai jo vetëm që ka thyer të gjitha premtimet për luftën kundër korrupsionit, por ai ua kaloi të gjithëve në korrupsion, sepse për hir të korrupsionit ai nuk kurseu as jetët e njerëzve, për fat të keq, në Gërdec. Sepse, Gërdecë të tjerë me të do të na ndodhin çdo ditë, në miniera, në spitale e kudo në të gjithë vendin. Berisha duhet të largohet sepse përbën një rrezik për të ardhmen, për reformat, për demokracinë e sidomos për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, - tha Ilir Meta, i cili akuzoi Berishën se me aferat korruptive po dëmton rëndë imazhin e vendit.

“E majta për Integrim”
Kreu i LSI-së tha se vendi ka nevojë për një opozitë të fortë dhe për një politikë të majtë të mirëfilltë. Ai shprehu bindjen se koalicioni ri opozitar “E majta për Integrim” do të jetë zëri i vërtet i opozitës, dhe do të arrijë suksese, duke filluar që nga zgjedhjet e pjesshme në Kashar dhe deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. “Politikë e majtë është qeverisja që e prekin të gjithë shqiptarët dhe jo privilegjet që i gëzojnë vetëm ata që janë në pushtet qendror apo vendor. Ndaj, për të realizuar të gjitha këto synime, do të na duhet që të forcojmë edhe më tej, jo vetëm strukturat tona, por njëkohësisht, edhe të konfigurojmë gjithnjë e më qartë koalicionin e ri opozitar, i cili provën e parë do ta këtë jo shumë larg prej këtu, në komunën e Kasharit, në zgjedhjet që do të zhvillohen së shpejti. Dhe, njëkohësisht, do të thotë që të zgjerojmë çdo ditë koalicionin me të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët janë të lodhur nga dy partitë e vjetra, janë të tejlodhur nga konfliktet dhe nga dashuritë e tyre të neveritshme”, - tha Meta.

PS-ja dyshon për shpërndarjen në kohë të kartave të identitetit

Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, shprehu dyshime ndaj angazhimit të qeverisë për të pajisur në kohë shqiptarët me karta identiteti si dhe për të hartuar regjistrin kombëtar të zgjedhësve. “Ne shprehim shqetësimin e vazhdueshëm se qeveria aktuale dhe maxhoranca qeverisëse në vend që të përqendrohen në realizimin e reformave konkrete në këto fusha përdor demagogjinë për të mbuluar këtë hendek të identifikuar qartë në raportet e institucioneve prestigjioze të lartpërmendura”, - tha Klosi. Deputeti socialist komentoi gjithashtu raportin më të fundit të Bankës Botërore për Shqipërinë, duke thënë se qeveria po hedh hapa mbrapa në drejtim të realizimit të reformave të rëndësishme.

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›