E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers, alibia qe e shkarkon nga pergjegjesia e "Gerdecit"

Dyshimet që tronditin dëshminë denoncuese të majorit Harrison. Ambasadori Uidhers nuk është takuar me Mediun, por ka qenë në një darkë pune me gazetarë

Nga Lorenc VANGJELI

Një dëshmi e papritur e një funksionari të Ambasadës Amerikane në Tiranë trondit politikën. Dyshime të forta për bashkëpunim të mundshëm të ambasadorit Uidhers me ministrin nën hetim, Mediu. “MAPO” zbulon të vërtetën e takimit misterioz të 19 nëntorit 2007 dhe afron provat që vërtetojnë se majori Harrison mund të mos ketë thënë të vërtetën. Një vështrim ndryshe nga ai që i është servirur sekretares së Shtetit Kondoleza Rajs nga kongresmeni amerikan, Uiksman.

Djajtë dolën nga shishja. Një dëshmi surprizë e një ish-punonjësi të Ambasadës Amerikanë në Tiranë, majorit Lerry Harrison, dhënë për Komisionin hetimor të Kongresit Amerikan, afron të gjitha elementet e nevojshme për një histori të jashtëzakonshme: një ministër shqiptar në dijeni për krimin që tenton dhe fsheh gjurmët e tij, një ambasador që këshillon pikërisht fshehjen e këtyre gjurmëve, punonjës të tjerë të Ambasadës të përfshirë në këtë histori, një kontratë miliona dollarëshe dhe e dyshimtë për municion kinez që blihej në mënyrë të kundërligjshme me fonde amerikane e kështu me radhë. Bëhet fjalë për takimin e mbrëmjes vonë të datës 19 nëntor në rezidencën private të zëvendësambasadorit amerikan, Stiven Kristina, në prani të shefit të tij, zotit Uidhers e të tjerëve me ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu. Harrison, duke dëshmuar para Komitetit të Kongresit që heton çështjen në fjalë, ka deklaruar se në datën 19 nëntor, ambasadori Uidhers ka rënë dakord me ministrin Mediu për fshehjen e ambalazhit kinez të municioneve para se vendin ku kryhej ky proces, Rinas, ta vizitonte një reporter i “NYT”.
As më pak dhe as më shumë, majori Harrison, ish-shef i zyrës së bashkëpunimit ushtarak në Ambasadë, një njohës vetëm në nivel fillestar i gjuhës shqipe, i jep një përmasë ndërkombëtare skandalit dhe madje përfshin edhe një komponent amerikan në të, vetë ambasadorin amerikan në Tiranë, zotin Xhon Uidhers. Dëshmia e tij ka shërbyer si thelbi i letrës drejtuar sekretares amerikane të Shtetit, zonjës Kondoleza Rajs, firmosur nga kongresmeni demokrat Henri Uiksman, ku kërkohen shpjegime për implikimin e mundshëm të Ambasadës Amerikane në Tiranë në skandalin me kontratën e “AEY”-së së Diverolit.
Një pjesë e Tiranës zyrtare ndoshta ka marrë frymë e lehtësuar; gjithsesi, është më e lehtë edhe përpara opinionit publik që një mëkat të shpëlahet kur pjesëtarë të tij janë dhe zyrtarë amerikanë. Vetë Ambasada Amerikane ka përgënjeshtruar thelbin e deklarimit të ish-punonjësit të saj, majorit Harrison, mandati i të cilit ka përfunduar që një muaj më parë. Në një deklarim për shtypin të datës 24 qershor 2008 thuhet: “Ambasadori Uidhers është në dijeni të pretendimeve të paraqitura në letrën e 23 qershorit nga përfaqësuesi i Kongresit, Henri Uiksman, drejtuar sekretares së Shtetit, Rajs. Ai po studion përmbajtjen e letrës dhe, sapo ta ketë mbaruar këtë, do të përgatisë një përgënjeshtrim të plotë të çfarëdo pretendimi kundër Ambasadës së SHBA-ve apo atij vetë. Siç ka thënë publikisht shumë herë, ambasadori beson në mënyrë të palëkundshme që një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta. Ai e përdor këtë parim në mënyrë të barabartë si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve, me dijen absolute që faktet mbi këtë çështje, të paraqitura plotësisht, do të shpërbëjnë cilindo dhe çdo pretendim të ngritur kundër tij, stafit të tij, apo qeverisë së tij”. Një ditë më pas, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tom Kasey, do të përgjigjej: “Nuk ka të dhëna që ambasadori dhe stafi i tij të jenë të përfshirë”... në skandal. Zëdhënësi Kesey la të kuptohej me elegancë shqetësimin që letra e kongresmenit amerikan më parë se të mbërrinte në Departamentin Amerikan të Shtetit, përfundoi në duart e shtypit. Por ai ishte i drejtpërdrejtë kur tha se “nëse shihen llogaritë bankare” (të ambasadorit amerikan dhe stafit të tij), ata “nuk kanë ndonjë interes të veçantë biznesi me kompaninë e përfshirë”.
Akuzat ndaj Ambasadës, por dhe përgënjeshtrimi i menjëhershëm i saj nga të akuzuarit, shkaktuan një situatë krejt të panjohur më parë në Tiranë: amerikanët në vend të pozicionit të zakonshëm të “sulmit” apo dhe këshillimit të autoriteteve lokale, u ndodhën në pozita mbrojtëse përballë opinionit publik shqiptar. Revista “MAPO” ka konsultuar prova dhe dëshmi, burime të ndryshme informimi brenda dhe sidomos jashtë vendit, të cilat, gjithashtu, në mënyrë të papritur, afrojnë një tablo krejt tjetër të pretendimeve për atë çfarë ka ndodhur në mbrëmjen misterioze të 19 nëntorit 2007, larg syve kureshtarë në një copë tokë “amerikane” në periferinë lindore të Tiranës, një pjesë të së cilave vendosi t´i publikojë, ndërsa pjesën tjetër ndoshta do ta bëjë në një moment të dytë.
Takimi i 19 nëntorit
Dëshmia tashmë e njohur e majorit Harrison shënon se ish-ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kërkuar me insistim një takim në Ambasadë atë pasdite, takim i cili u realizua po atë ditë: “Takimi zgjati të paktën disa orë (rreth gjashtë orë) dhe përfundoi rreth mesnatës”. Kjo është fjalia e parë që ngre dyshime serioze për të gjithë dëshminë. Sipas saj, në takim merrte pjesë ambasadori Xhon Uidhers, zëvendësi i tij, Stefën Kristina, Patrik Leonard, oficer i sigurisë rajonale dhe vetë majori Harrison. Por një shqyrtim i fakteve, një pjesë e të cilave u siguruan nga “MAPO” prej autoriteteve në Florida (Southern District of Florida), ku prokuroria ka nisur një hetim për kompaninë “AEY”, dëshmojnë diçka krejt tjetër. Djalli fshihet në detaje dhe “denoncuesit” i ka shpëtuar pikërisht një detaj: Është e provuar se duke nisur nga ora 19:00 e datës 19 nëntor 2007, ambasadori amerikan Xhon Uidhers ndodhej në rezidencën e tij zyrtare në një darkë informale pune. Pjesëmarrës në këtë darkë ishin disa analistë të medias shqiptare, disa drejtues të OJF-ve, gjithashtu të njohura në vend, si dhe ndihmës të tij në Ambasadë.
“MAPO” ka siguruar dhe emrat e pjesëmarrësve në këtë darkë, por që nuk i publikon të paktën në këtë moment të parë. “Një darkë normale për shkëmbim të lirë idesh dhe opinionesh, në fund të së cilës, madje kemi ndalur edhe për një gotë me konjak dhe kafe me ambasadorin. Gjatë gjithë kohës ai ndodhej në tavolinë dhe nuk u shkëput asnjë çast prej detyrimit të tij si zot shtëpie”, - thotë një nga pjesëtarët e kësaj darke, që lutet gjithashtu të mos citohet me emër. Pikërisht në këtë moment, gjatë darkës, ambasadori u njoftua se i ishte kërkuar takim nga ish-ministri Mediu. Edhe dy tentativa të tjera të zotit Mediu, sipas informacioneve tona, nuk përfunduan në vëmendjen e ambasadorit Uidhers. Darka ka mbaruar diku rreth orës 22:00. Për më tepër, burime të ndryshme pohojnë të njëjtin detaj: “Lincoln”-i i zi i ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, me targë U 1111, kishte hyrë ndërkohë në “tokën” amerikane. Ai ndodhej i parkuar pranë rezidencës së zëvendësambasadorit amerikan, Stefën Kristina, që nga ora 21:00. Dy fakte këto që tashmë ndodhen të “arkivuara” dhe në dosjet përkatëse përtej Atlantikut dhe që janë marrë në shqyrtim.
Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, e ka pasur të pamundur të ndodhej në të njëjtin çast në dy vende të ndryshme. Alibia klasike e të akuzuarit, në këtë rast, prova e fortë për të hedhur dyshime të forta në vërtetësinë e dëshmisë së majorit Harrison.
Hetimin për “AEY”-në Harrison nuk e dinte.
Ashtu siç është thënë në dëshminë e majorit Harrison, takimi i realizuar me ministrin e Mbrojtjes Mediu në prani të ambasadorit Uidhers, zëvendësit të tij Kristina, shefit të sigurisë rajonale Leonard dhe vetë majorit Harrison, ngjan si një takim konspiracioni. Ministri shqiptar, që kërkon ndihmë për të fshehur gjurmën kineze të origjinës së municionit që ndodhej i gatshëm për t´u eksportuar në Afganistan nga Rinasi dhe ambasadori që këshillon pikërisht fshehjen e këtyre gjurmëve. Pikërisht këtu dëshmia e majorit Harrison ka një mospërputhje të qartë logjike. Në atë takim, me të gjitha gjasat për shkak të detyrës së tij, i vetmi që nuk ishte në dijeni të faktit se ndaj “AEY”-së së Diverolit kishte nisur një hetim kriminal që nga maji i 2007-s, ishte vetë Harrison. Mbështetur në burime në dijeni të hetimit, ambasadori Uidhers, zëvendësambasadori Kristina dhe oficeri i sigurisë, Leonard, kanë qenë në dijeni të plotë të këtij hetimi. Madje shumë më shumë se kaq.
Provat që ka mundur të sigurojë “MAPO”-ja konfirmojnë se në javën e tretë të shtatorit të vitit 2007, në adresë të Ambasadës ka mbërritur një letër e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral-lejtënant Luan Hoxha. Në letrën e tij Ambasada Amerikane vihej në dijeni “për dyshime serioze që nga Aeroporti i Rinasit bëhej trafik i mundshëm municionesh”. Nuk dihet me saktësi se çfarë shpjegimesh të tjera ka dhënë gjeneral Hoxha, çfarë provash ka siguruar ai për t´i dërguar në Ambasadë (bëhej fjalë për një kompani amerikane që operonte, “AEY”-në), por dy detaje janë të qarta; e para, as gjeneral Hoxha ishte në dijeni që pak muaj më parë, pikërisht për këtë kompani kishte nisur një hetim për veprimtari kriminal dhe konspiracion kundër SHBA-ve; e dyta, që sinjali i dhënë është marrë me seriozitetin maksimal nga ambasadori Uidhers. “Natyrisht që është përcjellë në Departamentin Amerikan të Shtetit”, - konfirmon një burim alternativ për “MAPO”-n nga përtej oqeanit. Dhe fakti bëhet plotësisht i besueshëm sepse reagimi nga Uashingtoni ka qenë i menjëhershëm. Departamenti i Shtetit e ka përcjellë këtë sinjal te Departamenti i Drejtësisë dhe më pas, dy hetues nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kanë fluturuar drejt Tiranës. Kundrejt një autorizimi me shkrim të firmosur po nga gjeneral Hoxha dhe të shoqëruar nga një zyrtar i lartë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, brenda dhjetëditëshit të parë të tetorit, tre ekspertët (një prej tyre zyrtar i lartë i Ambasadës) kanë hyrë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe pikërisht në krahun ushtarak të tij. Aty ku niseshin municionet në drejtim të Afganistanit. Zbulimi ka qenë tronditës. Dy hetuesit kanë mundur të sigurojnë fotot dhe filmimet e nevojshme të ambienteve ushtarake, arkat me municion me mbishkrime që vërtetonin origjinën e tyre kineze, madje kanë marrë në cilësinë e provës edhe disa arka të tilla. Natyrisht, ambasadori Uidhers ishte në dijeni të këtij rezultati. Vetë Ambasada në Tiranë ka refuzuar të komentojë një detaj të tillë. I vetmi deklarim i saj ka qenë dhe është deklarata e sipërcituar e 24 qershorit.
Takimi misterioz
Ish-ministri Mediu ka pritur me durim përfundimin e darkës së ambasadorit amerikan me gazetarë dhe drejtues OJF-sh natën e 19 nëntorit 2007. Një takim që ndryshe nga sa pretendon Harrison, nuk ka nisur pasdite dhe nuk ka zgjatur “të paktën disa orë”, siç thotë ai. Rreth orës 23:00 ambasadori Uidhers e të tjerë kanë pritur në takim zotin Mediu. Nga të gjithë pjesëmarrësit, vetëm majori Harrison dhe zoti Mediu (e ndoshta edhe zëvendësambasadori Kristina), nuk ishin në dijeni të hetimit ndaj “AEY“-së, të nisur në maj 2007. Nuk ishin në dijeni as të provave të reja të furnizuara nga Tirana në funksion të këtij hetimi. Pretendohet se shqetësimi i zotit Mediu në takim ishte që të nesërmen, më 20 nëntor, Rinasin do ta vizitonte një reporter i “NYT”. Sipas Harrisonit, këshilla e ambasadorit Uidhers për ministrin shqiptar ishte që largimi i municioneve përpara se reporteri të shkonte pikërisht në vendin ku ishte hetuar nga dy hetuesit nga Florida, do të mund të “lehtësonte dyshimet për shkeljen e ligjit”. Absurditeti logjik i këtij fakti nuk ka të bëjë aq me situatën e krijuar, që bashkëpunimi i mundshëm kriminal i zotit Uidhers po konsumohej në prani të dëshmitarëve të tjerë të tepërt, por dhe me një detaj tjetër shumë më domethënës. Sërish një detaj ku fshihet djalli. Harrison pretendon se në orën 23:00 zoti Mediu ka telefonuar gjeneral major Shpëtim Spahiun dhe i ka kërkuar largimin e ambalazhit “eksploziv” kinez nga hangarët e Rinasit. Niveli i pamjaftueshëm i shqipes në të cilën është bërë kjo bisedë, i majorit Harrison, e bën të dyshimtë këtë dëshmi të tij. Për më tepër shto dhe faktin se është logjikisht e pabesueshme që ai të mësonte se me kë po komunikonte ministri Mediu. Vetë gjeneral Spahiu, i nxjerrë tashmë në lirim, mohon të ketë pasur një bisedë të tillë me ish-eprorin e tij dhe të ketë vënë në lëvizje mjetet për të realizuar një urdhër i cili nuk i është komunikuar.
Një burim alternativ pohon për “MAPO”-n se ambasadori Uidhers i ka pohuar zotit Mediu se “nuk mund të ndalohet investigimi i gazetarit të “The New York Times”-it dhe se ai (zoti Mediu) duhet të referonte me fakte shmangien e dyshimit për një kundërvajtje të mundshme”. E njëjta përgjigje u dha nga Ambasada Amerikane kur u kërkua të komentonte botimin e këtij materiali nga revista “MAPO”. “No Comment. Nuk ndalojmë vullnetin dhe lirinë tuaj për të shkruar”.
Duhet shënuar se përtej ndërhyrjeve diplomatike, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka dhënë sinjale të forta publike për hetimin e asaj çka ndodhi në Gërdec, deri dhe me qëndrimin e njohur për çështjen e imuniteteve, që e lexuar shqip, ishte një kërkesë e fortë për heqjen e kësaj mburoje për zotin Mediu. Domethënë, për “bashkëkomplotuesin” e mundshëm të ambasadorit amerikan Xhon Uidhers, sipas dëshmisë kontradiktore të majorit Harrison. A është e mundur që një ambasador të kërkojë me ngulm heqjen e imunitetit të një zyrtari me të cilin akuzohet se ka bashkëpunuar për të zhdukur provat e një kundërvajtjeje të rëndë ligjore për legjislacionin e SHBA-ve, të cilat ai vetë i përfaqëson?! Kjo është një pyetje logjike, por si e tillë nuk mund të mos merret parasysh kur shihet linja kronologjike e ngjarjes së mistershme.
Këto janë vetëm një pjesë e detajeve që revista “MAPO” ka mundur të sigurojë dhe që hedhin dyshime serioze për dëshminë e majorit Harrison në Kongresin Amerikan, të përcjellë dhe në zyrën e sekretares së Shtetit Kondoleza Rajs nëpërmjet një letre të kongresmenit Henri Uiksman.
“MAPO” ka siguruar që në datën 24 qershor edhe tekstin e plotë të hetimit ndaj “AEY”-së së Diverolit. Dosja përcjell dhe një lajm të mirë shprese në Tiranë. Hetimi nga agjencitë e specializuara amerikane do të ndikojë dhe nxitë hetimin në Shqipëri të atij segmenti të lidhur me këtë histori, por më pas, të lidhur për shkak të aktorëve të përbashkët në të dyja rastet, edhe me shpërthimin tragjik të Gërdecit.
Amerikanët e dinin

Ky është një shkrim i botuar në revistën “MAPO” në datën 29 mars. Po ribotojmë një pjesë të tij për të hedhur dritë mbi një detaj që është mbajtur shënim, por që tani, në dritën e re të fakteve, merr një vlerë krejt të re. Shkrimi është botuar me titullin “Amerikanët e dinin” dhe nëntitull: “Një ekip investigativ amerikan ka inspektuar Rinasin mbas dyshimeve për trafik armësh. Leja është dhënë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm...”.
Në provën që ka paraqitur atëherë “MAPO”-ja ka vetëm një pasaktësi: përmenden punonjës të FBI-së. Në të vërtetë kanë qenë dy hetues të ardhur nga Florida, SHBA, të shoqëruar nga një zyrtar i lartë i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Për arsye të kuptueshme, atëherë nuk është thënë as çfarë u zbulua në Rinas. Nuk u tha që në Rinas u zbuluan provat që vërtetonin origjinën kineze të municioneve që blinte “AEY”. Ja një pjesë e shkrimit të MAPO-s së datës 29 mars 2008, vetëm dy javë mbas shpërthimit të tragjedisë në Gërdec:
“Janë dhe amerikanët mbas kësaj historie. E di me saktësi absolute që vjet në shtator ata kanë marrë leje me shkrim nga shefi dhe kanë inspektuar Rinasin. Ne dyshonim që aty bëhej trafik armësh, por nuk di se çfarë zbuluan ata”. Njeriu që afrohet të thotë këto fjalë është ushtarak karriere. Ndjehet i trembur, por i bindur se përtej asaj çka thuhet ditë mbas dite në media, mbas asaj çka deklaron politika, ka dhe një të vërtetë tjetër të madhe. Ajo që ruhet ende nga amerikanët dhe që sipas tij është një nga dy kartat e forta në dorë të shefit të tij. Nuk pranon të përmendet kurrsesi me emër, kurse subjekti për të cilin flet është vetëm një: Gjeneral-lejtënant Luan Hoxha. Ka frikë dhe nuk përpiqet të shfaqë kompleksin e një njeriu që ndiqet dhe përgjohet. Një ndjesi që në korridoret e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është mjaft e pranishme. Flet, pastaj pendohet, pastaj shton sërish i bindur se faji në gjithë tragjedinë e Gërdecit nuk ka kaluar nga korridoret dhe zyrat me mermer të kuq të Shtabit të Përgjithshëm. Sipas tij, në shtator të vitit të kaluar, gjeneral Hoxha ka komunikuar “aty ku duhej” dhe ka vënë në dijeni Ambasadën Amerikane në Tiranë për dyshimet e tij të forta në lidhje me një trafik të mundshëm materialesh luftarake nga Aeroporti i Rinasit. Më pas kanë qenë amerikanët dhe shërbimet e tyre që kanë kërkuar një leje me shkrim nga gjeneral Hoxha për t´iu mundësuar hyrja në aeroport. E kanë marrë një leje të tillë dhe kanë bërë punën e tyre. “Ishin dhe punonjës të FBI-së në atë ekip, por nuk di të them më tepër se çfarë kanë zbuluar”, - thotë ushtaraku më tepër i ri se në moshë të mesme. Kaq i mjafton atij për të besuar se në anën e ushtarakëve janë dhe amerikanët dhe po kaq e bën të besojë fort se kjo është dhe një nga provat që Gërdeci është vepër tragjike e civilëve.

Marrë nga revista “MAPO”

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›