E Diel, 1 Nëntor 2026

Valentina Leskaj: “Konflikti i PD-së me Presidentin po zhvlerëson Parlamentin”

Intervista/ Flet kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së

Shaban Sulçe

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, gjykon se konflikti i shpërthyer midis Partisë Demokratike dhe ish-nënkryetarit të saj, Bamir Topi, tashmë në funksionin e Presidentit të Republikës, po dëmton rëndë institucionet kushtetuese në vend. Leskaj thotë se gjithçka ka lindur si rezultat i dëshirës së pafrenueshme të kryeministrit Berisha për të dëmtuar pavarësinë e institucioneve. Sipas saj në rastin me konfliktin me Presidentin e Republikës, Berisha po keqpërdor Parlamentin, duke zhvlerësuar rolin e këtij institucioni të rëndësishëm. Në intervistën për gazetën “Albania”, Leskaj konfirmon se rrëzimi i dekreteve të presidentit Topi dhe bllokimi i Gjykatës së Lartë ka lidhje me përpjekjet e kryeministrit Berisha për të penguar të vërtetën dhe dënimin që meritojnë përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit. Por Leskaj thekson se pavarësisht këtyre përpjekjeve, nuk ka asnjë manovër politike që t’i shmangë nga përgjegjësia fajtorët e Gërdecit.

Zonja Leskaj, cila është arsyeja që opozita nuk mori pjesë në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të shqyrtuar propozimet për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit?
Ne nuk mund të bëhemi palë në një nismë që e ka zanafillën në konfliktin e PD-së me Presidentin e Republikës. Nuk jemi kundër nismave që përmirësojnë ligje dhe rregulla, po kur ato vërtet synojnë përmirësimin e punës, madje edhe për vetë rregulloren ka propozime edhe nga PS-ja. Në rastin konkret nuk ka ndonjë motiv për ta ndryshuar atë me procedurë të përshpejtuar. Ky ndryshim po bëhet me nxitim përpara se të vijnë dekretet e presidentit dhe nuk ka asnjë urgjencë, përveç faktit që duan t’i tregojnë forcën presidentit. Veç kësaj, rregullat e funksionimit të Kuvendit kanë nevojë për konsensus të palëve. Maxhoranca, siç mund ta keni ndjekur, e futi propozimin për ndryshimin e rregullores në procedurë me forcën e kartonit, pa konsensusin e opozitës.
Në këto kushte ne nuk mund të bëhemi pjesë e një këshilli me rezultat të paravendosur.
Si do ta konsideronit vendimin e këtij Këshilli, që e miratoi propozimin e PD-së pa praninë e opozitës?
Nuk është hera e parë që maxhoranca vepron në mënyrë arbitrare, bile me disa metoda që ia ulin vlerën jo vetëm Këshillit, por dhe vetë Kuvendit. Sot p.sh., papritur janë ndryshuar edhe dy anëtarë të Këshillit dhe kuptohet se pse është bërë, siç është vepruar dhe herë të tjera me komisionet parlamentare që janë ndryshuar në minutën e fundit sa për të kaluar një ligj. Një parlament normal nuk mund të funksionojë kështu.
Cilat janë pikat më të kontestueshme që ju keni ndaj propozimeve të PD-së me anë të deputetit Fatos Beja për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit?
Kjo nuk është çështje pikash, as çështje teknike. E gjitha kjo ka të bëjë me mënyrën e funksionimit të Kuvendit, me raportet mes institucioneve. Ky është problemi më i madh në demokraci.

Si do ta konsideronit vendimin e presidentit Topi për të krijuar grup pune ekspertësh për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarët e Gjykatës së Lartë?

Është në të drejtën e Presidentit që në procesin e përzgjedhjes të ngrejë grupe pune apo të përdorë mekanizma të tjera që i garantojnë një përzgjedhje sa më cilësore të kandidatëve. Kjo nuk e ndryshon faktin që 5 dekretet u rrëzuan si presion mbi presidentin dhe vetë Gjykatën, si përpjekje e ethshme për të kapur Gjykatën e Lartë, kjo ka lënë gjurmë mbi procesin.
Presidenti i Republikës e ka quajtur rrëzimin e dekreteve si ekzekutim politik. A mendoni se kemi të bëjmë vetëm për një përplasje Topi-Berisha, apo për interesa dhe qëllime me të gjera?

Përveçse një përplasje Topi-Berisha, që është e lexueshme qartë, vazhdon praktika e përplasjes së institucioneve, është sëmundja e vjetër e kryeministrit për pushtimin e institucioneve të pavarura. Në fakt, si edhe herët e tjera, ai po përdor Parlamentin.
Ministri Alibeaj ka deklaruar se Gjykata e Lartë nuk është e bllokuar. Nga ana tjetër, opozita akuzon se bllokimi i Gjykatës së Lartë ka lidhje me pengimin e hetimeve për Gerdecin. Sipas jush, a ka lidhje bllokimi i Gjykatës së Lartë me dënimin e fajtorëve të Gërdecit?
Unë nuk e di ç’e detyron ministrin të dalë dhe të thotë këtë, po besoj se edhe një njeri me eksperiencë minimale e kupton se një gjykate që i mungojnë shtatë anëtarë nga shtatëmbëdhjetë që duhet të ketë dhe që i mungon dhe kryetari, është vërtet në vështirësi serioze.
Natyrisht që bllokimi ka lidhje me Gërdecin për sa kohë që çështja e Gërdecit, për shkak të statusit të përgjegjësve të saj, gjykohet në Gjykatën e Lartë. Bllokimi i Gjykatës së Lartë është i qëllimshëm, po gjithsesi, nuk ka manovër politike që t'i shpëtojë përgjegjësit. Ngjarjet po precipitojnë.
Keni deklaruar se do të bllokoni Parlamentin në rast se rezulton që procesverbali për kandidatin Poda të jetë falsifikuar. Çfarë po ndodh me këtë çështje? Kur do të vërtetohet nëse Poda është shpallur fitues, apo jo?
Ajo që unë kam kërkuar është që në procesverbal të pasqyrohej saktë deklarimi që z. Madhi bëri në cilësinë e kryetarit të Sekretarisë lidhur me rezultatin e votimit. Dhe kjo është shumë e rëndësishme se është marrëdhënia e Parlamentit me të vërtetën. Sipas dokumentit që u paraqit në seancë, ishte hequr fjala “jep pëlqimin” dhe kjo është esenciale. Kjo u pranua dhe u reflektua nga maxhoranca dhe ne u kthyem në seancë. Seanca shpalli dhënien e pëlqimit nga Parlamenti dhe nuk u kontestua nga askush në seancë, që do të thotë se ai është anëtar i Gjykatës së Lartë sipas seancës, pasi çdo gjë që ndodh jashtë seancës parlamentare nuk është legjitime.

Çfarë mund të ndodhë me reformën në Drejtësi në rast se do të kemi sërish një krizë midis presidentit dhe maxhorancës për dekretet e reja për anëtarët e Gjykatës së Lartë?
Marrëdhëniet e PD-së me presidentin për dekretet nuk mund të mbajnë peng reformat, të cilat nuk bëhen as për PD-në, as për presidentin, por për vendin. Ne jemi të vendosur të kontribuojmë për reformën në Drejtësi ashtu siç kemi bërë deri sot. Maxhoranca duhet të tregojë përgjegjshmëri për të mos e lënë më vendin peng, sepse kjo do të kishte një kosto shumë të lartë edhe përsa i përket kërkesës për statusin e vendit kandidat për në BE, apo edhe anëtarësimit në NATO, që besoj është e qartë se nga marrja e ftesës deri në anëtarësim duhen bërë detyrat. Mesazhet nga partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të qarta për ata që duan të kuptojnë.
Natyrisht, përplasja e institucioneve, edhe kur është brenda maxhorancës, ka pasoja për vendin, kjo është sëmundja e vjetër e kryeministrit, që shmanget vetëm me largimin e tij.

A mendoni se ndryshimi i Rregullores dhe çështja e dekreteve do të prishë konsensuset për miratimin edhe të çështjeve të tjera me rëndësi, siç është ajo e reformës zgjedhore dhe përmirësimit të Kodit Zgjedhor?
Besoj që ne kemi treguar se dimë t’i ndajmë gjërat, që do të thotë se ndërsa s’pranojmë të bëhemi palë në një ndryshim të përshpejtuar rregulloreje që synon t’i tregojë dhëmbët presidentit të vendit, - apo zbatimin e kritereve politike ndaj kandidatëve që do të dëmtonte rëndë pavarësinë e Gjyqësorit, - do të vazhdojmë punën për reformën zgjedhore, natyrisht për një reformë që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Ndërkohë që ne kërkojmë plotësimin e kushteve për karta dhe regjistrin e votuesve, për të cilat ende nuk kemi asnjë siguri sidomos për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave. Për këto të dyja ne kemi kërkuar vendosjen e afateve, po qeveria bën sikur nuk dëgjon. Gjithsesi, ne nuk tolerojmë në këto kushte tonat.

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›