Teuta Topi flet për barazinë gjinore në Forumin e Krans Montanës
Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, Teuta Topi, ka marrë pjesë dje në sesionin e 19-të të Forumit të Krans Montanës në Monako. Gjatë fjalës së saj Zonja e Parë e Shqipërisë kë vënë theksin në domosdoshmërinë e respektimit të barazisë gjinore. Sipas saj, barazia gjinore është parakusht për zhdukjen e varfërisë dhe një zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë. Në fjalën e saj mbajtur gjatë sesionit me temë “Gruaja në jetën publike”, zonja Topi theksoi se barazia gjinore është një mjet për të luftuar varfërinë, për të forcuar demokracinë dhe për të rritur zbatimin e të drejtave të njeriut. “Qeveria shqiptare ka ndjekur një politikë të vazhdueshme për uljen e varfërisë, ku gruaja luan një rol parësor në zbutjen e saj. Që prej vitit 2000, ka nisur dhe është konsoliduar gjithnjë e më shumë një lëvizje kombëtare për fuqizimin politik të gruas, e cila arriti të ketë impaktet e saj në ndikimin e klimës politike dhe sociale në vend, në favor të balancës gjinore”, - është shprehur zonja Topi. Sesioni i 19-të vjetor i Forumit të Krans Montanës, që po zhvillohet në Monako, në datat 26-29 qershor, po diskuton rreth çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore në politikë dhe pjesëmarrjen e gruas në jetën parlamentare.
30 Qershor 2008