Ruseti: Frika e Edvinit, nga ligji i spiunëve
Kryetarja e Kuvendit akuzoi dje kryesocialistin Edi Rama për shpifje dhe trillime ndaj figurës së saj. Përmes zëdhënëses Suela Ruseti, Topalli bëri të ditur se Edi Rama po tenton të fabrikojë akuza personale ndaj emrit të kryetares së kuvendit. “Dua t’i them këtij tellalli të mashtrimit, se pastërtia e figurës së kryetares së Kuvendit është kontrolluar tre herë nga komisione të ngritura nga Partia Demokratike e nga Partia Socialiste, dhe ajo është e gatshme të verifikohet edhe 300 herë të tjera, ndërkohë që kryetari i Partisë Socialiste nuk është verifikuar asnjëherë”, - u shpreh Ruseti. Ajo vuri në dukje se kërkesa për shtyrjen e kalimit të ligjit për pastërtinë e figurave ka ardhur me ngulm nga Partia Socialiste, pas bojkotit të Komisionit të Ligjeve. Ruseti bëri të qartë se këto trillime janë pasojë e humbjes që ai dhe partia e tij pësoi në Kashar. “Jo më larg se 24 orë më parë për shkak të politikës së shpifjeve dhe trillimeve më të ulëta, shqiptarët e fundosën Edvin Ramën dhe partinë e tij, duke e renditur në vendin e katërt e të fundit”, - tha Ruseti. Sipas zëdhënëses së Kuvendit është frika dhe tmerri i socialistëve që kërkojnë shtyrjen e këtij ligji apo pengimin e rishikimit të pastërtisë së figurave. “Frikë e tmerr ka Edvin Rama që nuk është verifikuar asnjëherë. Dua të siguroj Edvin Ramën se konsensusi është shumë i çmuar, por jo më i çmuar se verifikimi dhe e vërteta në këtë proces”, - u shpreh znj. Suela Ruseti.