E Diel, 1 Nëntor 2026

MPPTT: Investimet rrugore, në kuotën më të lartë

MPPTT-ja ka përgënjeshtruar dje akuzat e nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, sipas të cilit, kjo ministri ka shkurtuar fondet e investimeve në sektorin e infrastrukturës rrugore. Në një deklaratë për shtyp kjo ministri shprehet se investimet janë në kuotat më të larta të gjithë periudhës paskomuniste. Sipas kësaj ministrie, investimet publike në rrugë në vitin 2008 janë sa 8-fishi i investimeve në vitin më të mirë të Partisë Socialiste, që ishte viti 2004. Realizimi i investimeve në 6-mujorin e parë 2008 është 59.4% ose më i larti në të gjitha vitet duke filluar nga viti 1991. MPPTT-ja shton më tej se “rruga Shkodër – Hani i Hotit tenderohet me datë 15 gusht dhe ne i garantojmë z Braçe dhe firmës për të cilën mund të interesohet ai, se procedura do jetë tërësisht transparente”. Sipas këtij dikasteri gjithashtu rruga Fier – Vlorë vazhdon të ndërtohet me ritmet e programuara, ndërsa për Rrugën Levan – Tepelenë kontrata e punimeve nënshkruhet të hënën, më datë 4 gusht 2008. Kjo ministri sqaron dhe çështjen e ujësjellësve duke bërë të ditur se “investimet e buxhetit vetëm në rrethin e Beratit janë 780 milionë lekë”. Duke iu rikthyer akuzave të Braçes, Ministra e Transporteve shton se “vetëm në zonën e tij elektorale investimet në ujësjellës janë më të mëdha se ç’kanë qenë investimet socialiste në ujësjellës në të gjithë rrethin e Beratit. Por, për të konstatuar këtë, zotit Braçe i duhet të shkojë ndonjëherë edhe në zonë, gjithmonë në qoftë se e pranojnë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›