Biberaj:"Po frenohet regjistrimi i popullsisë"
28/11/2004 Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Aleksandër Biberaj, theksoi dje se mungesa e hartave të Tiranës, si dhe fondet e pamjaftueshme po bëhen shkas për vonesat në regjistrimin e popullsisë për vitin 2005. "Njësive bashkiake në Tiranë u mungojnë adresat dhe hartat, elemente të rëndësishme për një regjistrim të saktë të votuesve, që, sipas ligjit, duhet të ishin dhënë brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji", tha Biberaj. Nga ana tjetër, sipas PD-së, ka mungesa në infrastrukturë dhe në mjetet logjistike. Një problem tjetër, që është ngritur dhe nga njësitë bashkiake, sipas përfaqësuesve të PD-së, është dhe mungesa e fondeve të dhëna për këtë qëllim. "Fondet e miratuara nga qeveria janë të pamjaftueshme, pasi janë miratuar vetëm 1/3 e shumës të kërkuar nga njësitë e qeverisjes vendore. Procesi ka filluar vonë dhe po ecën ngadalë si pasojë e mungesës së fondeve dhe zvarritjeve burokratike. Me ecurinë e deritanishme është e vështirë që procesi të përfundojë brenda afatit, 28 shkurtit, të vitit të ardhshëm", deklaron dega e PD-së Tiranë.