Pedagogët: Në grevë deri ne plotesimin e kerkesave
28/11/2004 Pedagogët do të vazhdojnë grevën, derisa vendimet mbi kërkesat e tyre të marrin formë konkrete dhe të jenë gati për zbatim. Pas kësaj studentët do të jenë të detyruar të bëjnë mësim me dy turne. Ismail Hoxha, shefi i profesoriatit të Universitetit Politeknik tha se greva do të vazhdojë deri sa të hartohen vendimet përkatëse, që nga autonomia financiare dhe deri te rritja e pagave. Ato do të diskutohen përsëri prej tyre dhe nëse ata bien dakord me këto vendime pedagogët do të nisin punën. “Ende nuk kemi biseduar me stafet akademike për këtë pikë, pasi s’ka ardhur ende puna deri këtu. Kur të vij momenti, e cila varet nga shpejtësia e qeverisë në zgjidhjen e problemeve, do të bisedojmë edhe për këtë gjë. Megjithatë janë hedhur disa mendime, si bërja e mësimit me dy turne”, tha Ismail Hoxha. Në takimin e djeshëm edhe një herë pedagogët diskutuan problemet që i shqetëson ata. “Ne kërkojmë një reformë tërësore në Arsim, pasi Universiteti po degradon. Ne kemi këtu në grevë dhe vijnë studentë që të na fusin zarfin në xhep. Kjo, sepse hyjnë në shkollë konkurrent me minus pikë. Dhe detyrimisht që ata do të synojnë të paguajnë para për provimet”, Rahmi Memushaj, pedagog i gjuhësisë, Fakulteti Histori-Filologji.