E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjin i ish-sigurimsave shtyhet për vitin tjetër

28/11/2004  Fillimi i diskutimeve për projektbuxhetin e shtetit për vitin 2003 ka nxjerrë nga axhenda e punimeve të parlamentin, ligjin për dosjet e ish-sigurimsave. Ndonëse në rendin e punimeve dyjavore është parashikuar diskutimi, në komisionet parlamentare, drafti nuk do të kalojë për shqyrtim. Burimet kanë bërë të ditur se në Kryesinë e Kuvendit është kërkuar shtyrja për në dy javorëshin e fundit. Por, dhe kjo vetëm për të zbatuar rregulloren, pasi projektligji nuk do të kalojë për diskutim këtë vit. Në lidhje me këtë fakt një nga bashkautorët, Nard Ndoka, tha për "Metropol", se si PS dhe PD-ja kanë frikë nga miratimi i një ligji të tillë, pasi në strukturat e larta të tyre mund të ketë ish- bashkëpunëtorë të sigurimit. Megjithatë, mësohet se argumenti për shtyrjen e diskutimit është fakti në propozim kërkohet që ish-sigurimsat të mos jenë në detyrat e larta shtetërore. Por Ndoka tha se, për këtë iniciatorët janë gati që ta kufizojnë këtë draft në deklarimin prej kandidatëve për deputet apo bashkiak, nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Kjo do të sjellë dhe të drejtën për informim të qytetarëve, të cilët do të japin votën e tyre. Por Ndoka tha se dhe pas kësaj nuk pret një reagim pozitiv. Sipas tij, një draft i tillë është zbatuar në një sërë shtetesh që kanë pasur një histori të përafërt me Shqipërinë.

Modeli

Sipas Nard Ndokës, modeli i paraqitur si propozim është marrë nga Hungaria. Në këtë shtet, pas miratimit të ligjit, ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, u është komunikuar në mënyrë private kërkesa për largim nga puna. Kjo ka shmangur incidentet, apo prekjen e interesave përballë shoqërisë. Ndërsa për kandidatët për deputet apo bashkiak, është në dorë të tyre të kërkojnë konkurrencën. "Në rast se ata mendojnë se fitojnë, atëherë duhet të deklarojnë nëse kanë qenë bashkëpunëtorë me sigurimin", tha Ndoka. Ndërkohë, ai tha se kjo është eksperienca më e lehtë për t'u përdorur në vendin tonë, pasi ka dhe vendime radikale siç është rasti i Çekisë. Në këtë shtet, dosjet e ish- sigurimsave janë hapur për publikun, duke sjellë dhe pasoja për ta në shoqëri.

Projektligji

Sipas propozimit të deputetëve Çako, Ndoka dhe Berzani, ish-bashkëpunëtorët e sigurimit nuk duhet të lejohen që të marrin statusin e nëpunësit civil, apo të një detyre tjetër të lartë në strukturat e shtetit shqiptar. Duke parë rëndësinë që ka në publik ky projektligj, deputetët kanë insistuar që amendamenti duhet të votohet në mënyrë të hapur dhe jo me votë të fshehtë. Në relacionin e paraqitur në parlament, iniciuesit janë shprehur se këta që kanë futur në burgje dhe që kanë mbajtur të nënshtruar popullatën shqiptare, nuk duhet të lejohen të kenë akses në strukturat e larta, të cilat kanë ndikim si në shërbimin ndaj qytetarëve, ashtu dhe të kultivimit të kulturës. Gjithashtu është kërkuar që kandidatët për deputet, apo për kryetar bashkie, para zhvillimit të fushatës zgjedhore duhet të deklarojnë nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtorë të sigurimit të fshehtë.

Strukturat që do të deklarojnë nëse kanë bashkëpunuar me SHIK

Deputetët, bashkiakët dhe komunarët

Avokati i Popullit

Kreu i Akademisë së Shkencave

Kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve

Kreu i ERT-së

Të emëruarit në Qeveri

Funksionarët në shtet nga shef sektori dhe lart

Personat që kërkojnë të marrin statusin e nëpunësit civil

Drejtorët e shkollave

Drejtuesit lokal dhe në qendër të policisë, doganave dhe tatim-taksave

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›