E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fikja e dirtave - Skandal me Realin, nis hetimi për sabotim

 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj ka urdhëruar dje nisjen e një hetimi për incidentin në stadium. Departamenti i hetimeve ka nisur specialistët nga Drejtoria e Tiranës dhe e përgjithshmja për të zbardhur ngjarjen. Objekt i hetimit është fakti nëse ishte aksident apo akt i qëllimshëm. Për sqarimin e rrethanave të ngjarjes është formuar një grup hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, Ekspert Kriminalist dhe Ekspertë të tjerë, i cili po kryen hetimet e nevojshme në vendin e ngjarjes. Dje në mbrëmje është kryer një këqyrje e pjesshme e vendit të ngjarjes, këqyrje e cila do të vazhdojë ditën e nesërme, me datë 21 janar 2010. Janë shoqëruar në ambientet e policisë, punonjës të Qendrës Sportive SH.A, si dhe punonjës të OSSH, të cilët po pyeten në lidhje me shkaqet e ndërprerjes së energjisë elektrike në stadium. është bërë i mundur sekuestrimi i të gjithë dokumentacionit përkatës dhe i korrespondencës mbi organizimin e kësaj ndeshje. Ndërkohë që është informuar Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë. Problemi Sipas të dhënave paraprake nga burime pranë punonjësve të stadiumit, defekti është shkaktuar pasi është djegur një nga transformatorët e energjisë elektrike në stadium, i cili furnizonte me energjinë e duhur gjithë sistemin e ndriçimit në impiantin “Qemal Stafa”. Sektori i mirëmbajtjes së stadiumit fillimisht dyshoi se mos ishte ndonjë problem i momentit, që kishte shkaktuar masë dhe për pasojë kishte aktivizuar uljen e automateve. Pas disa tentativave për të rivënë në punë prozhektorët është pikasur se transformatori nuk funksiononte. Sipas specialistëve, kjo mund të ketë ndodhur edhe për shkak të amortizimit të sistemit elektrik të stadiumit, pasi ato nuk janë riparuar prej vitesh.Gjeneratori Nëse do të kishte pasur një gjenerator, vonesa e madhe mund të ishte evituar. Për këtë pajisje drejtuesit e stadiumit janë kujtuar vetëm pasi ndodhi incidenti. Thuajse në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare që kanë zhvilluar ekipet apo Kombëtarja shqiptare, gjithnjë ka qenë në dispozicion një gjenerator në rast emergjence. Dje nuk pati një të tillë, për efekt të neglizhencës, apo për motive të tjera dhe kjo solli një vonesë prej 81 minutash, pikërisht kundër skuadrës më mediatike të globit, Realit të Madridit. Alternativa Sipas specialistëve, një zgjidhje tjetër që mund të ishte akoma më efikase dhe e shpejtë, mund të kishte qenë pajisja me dy linja elektrike për stadiumin. Në rast se njëri nga transformatorët, do të shkaktonte probleme, mund të përdorej linja rezervë, për të evituar probleme të tilla. OSSH: S’është përgjegjësi e jona“U dogj transformatori, sollëm gjenerator”Një qark i mbyllur është bërë shkak për djegien e transformatorit, që ka shkaktuar dje “black-out” total në stadiumin “Qemal Stafa”. Në një reagim për shtypin, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u shpreh se transformatori i stadiumit nuk është përgjegjësi e tij. “Menjëherë pas defektit, OSSH ka bërë të pamundurën për të siguruar një gjenerator dhe riparoi linjën e dëmtuar për të vazhduar ndeshja. Vendosja e një transformatori të ri kërkon kohë prandaj u pa e arsyeshme alternativa e gjeneratorit”, thuhet në reagim. Duke e distancuar veten nga ky “incident”, OSSH nuk ka bërë komente lidhur me atë që ndodhi, duke e përkufizuar thjesht me faktin që transformatori nuk është përgjegjësi e saj. Ndërkohë që pavarësisht kësaj ka qenë pikërisht OSSH ajo që është vënë në lëvizje për të riparuar defektin dhe për të kthyer sërish dritat në stadium.“Mungesa e një gjeneratori e pafalshme” I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Energjetikës, pas djegies së transformatorit në stadiumin “Qemal Stafa”. Në një reagim për mediat, kjo ministri e ka cilësuar si të pafalshme mungesën e një gjeneratori në stadium. “Transformatori është në përgjegjësi të stadiumit dhe mbi të bie edhe përgjegjësia e kësaj që ndodhi. Mungesa e një gjeneratori është totalisht e pafalshme”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie. Pas kritikave ndaj drejtuesve të stadiumit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka vlerësuar shpejtësinë me të cilën reagoi OSSH-ja për të kthyer sërish dritat në stadium. PS: Berisha uli edhe një herë kuotat e shqiptarëveMenjëherë pas mungesës së energjisë në stadium, pas ndeshjes Gramozi-Real, ka reaguar Partia Socialiste. Deputeti Eduard Shalsi, e ka gjetur të keqen e këtij skandali te kryeministri Sali Berisha. “Ky njeri që e ka emrin Sali Berisha, jo vetëm që nuk di të nxjerrë qimen nga qulli në çështjet e qeverisjes dhe punëve të shtetit, por paska patur qimen e derrit, duke sjellë fatkeqësi dhe tersllëqe. Sot edhe pse në një ditë festive siç duhet të ishte ndeshja me Real Madridin, na bëri gazin e botës me mungesën e energjisë. Në vend që të menaxhojë dhe ulë kuotat e hidrocentraleve, Sali Berisha sot uli edhe një herë tjetër kuotat e shqiptarëve.”“AS”: “Reali në errësirë, ikin dritat në Tiranë”E përditshmja spanjolle “AS” e ka publikuar menjëherë lajmin se në stadiumin “Qemal Stafa” ishin fikur dritat. Vetëm pak minuta pasi kishte ndodhur një gjë të tillë, në adresën online, ata publikuan si lajm kryesor, që në miqësoren mes klubit të Realit të Madridit dhe atij të Gramozit të Ersekës, ndeshje e vlefshme për turneun “Taçi Oil”, kishte një pezullim të paparashikuar, pasi prozhektorët e stadiumit ishin fikur. “Reali në errësirë, ikin dritat në Tiranë”, shkruhej me gërma të mëdha. Gjithsesi, ata e qartësuan korrektësisht më pas të gjithë situatën dhe arsyen e një problemi të tillë.Pelegrini: Një problem i zakonshëm Trajneri i skuadrës së Realit të Madridit, Manuel Pelegrini, nuk ka dashur ta dramatizojë situatën, pas incidentit të djeshëm në “Qemal Stafa”. I pyetur menjëherë pas ndeshjes kundër Gramozit, nga gazetarët spanjollë, trajneri i madrilenëve deklaroi se këto janë gjëra që mund të ndodhin dhe se nuk u duhet kushtuar më tepër rëndësi sesa duhej. “Nuk mendoj se kjo ishte gjëja më e rëndësishme që ndodhi në këtë ndeshje – ka deklaruar Pelegrini. – Ishte një miqësore dhe pati një problem me dritat që mund të ndodhë kudo.”FSHFDuka: Gafë mosmarrja e masavePresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, i pranishëm dje në stadium, e ka cilësuar një problem tejet të evitueshëm atë të të djeshmin në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Ai ka pohuar se në çdo ndeshje të Kombëtares shqiptare, kur FSHF është organizatore e ndeshjes, gjithnjë ka pasur një gjenerator rezervë. “Gjëra të tilla edhe ndodhin për shkak të amortizimit, por ama gjeneratori duhej të ishte aty. Drejtuesit e stadiumit ndoshta mund ta kishin menduar një gjë të tillë, pra nuk duhej ta kishin neglizhuar. Ne të Federatës na ishte bërë rutinë kjo gjë, pra marrja e një gjeneratori, edhe për shkak të problemeve me energjinë, që vendi ynë ka pasur deri vitin e kaluar. Gjithsesi, një vonesë kaq e madhe mund dhe duhej të ishte evituar”, ka deklaruar Duka.  Xhaferri: Faji i drejtorit të stadiumit dhe OSSH-së, mund të jetë dhe sabotimMinistri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri hedh dyshime se fikja e dritave në stadium mund të ishte sabotim. Në një intervistë për “Opinionin” të Blendi Fevziut në TV Klan ai tha se ka kërkuar nga këshilli mbikëqyrës shkarkimin e drejtorit të stadiumit “Qemal Stafa”, Perikli Dhales. çfarë ndodhi në stadium?Ishim në pushimin mes pjesës së parë dhe pjesës së dytë, ne ishim në hollin e stadiumit, në shoqërinë e dy presidentëve të klubit Gramozi dhe Real Madrid, ishte edhe ambasadori spanjoll. Në prag të fillimit të pjesës së dytë kishte një fikje të dritave të prozhektorëve, sistemi i ndriçimit në pjesën e brendshme funksiononte. Unë thirra drejtorin e stadiumit, ndërsa zoti Prifti u lidh me drejtuesit e OSSH-së. Mësuam që është djegur një transformator i tensionit të lartë. OSSH reagoi dhe solli një transformator tjetër për të mundësuar fillimin e ndeshjes. Sipas rregullores së FIFA-s dhe stadiumit, nuk mund të fillojë një ndeshje futbolli pa qenë dy linja rryme dhe një gjenerator...Kompania Taçi Oil ka lidhur një kontratë me stadiumin “Qemal Stafa” për zhvillimin e ndeshjes, i është drejtuar me një shkresë zyrtare me nr. protokolli 41 me datë 18.01.2010 OSSH-së, ku i ka kërkuar marrjen e masave që në intervalin nga ora 17:00-20:30 të garantohet ndriçimi i stadiumit. OSSH e ka marrë këtë shkresë me nr.protokolli nr. 286, po me datë 18, dhe në funksion të kësaj shkrese ka bërë një plan masash për garantimin e ndriçimit dhe ka ngritur dy grupe pune. Unë sot kam komunikuar me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, sepse stadiumi është shoqëri aksionere, i kam kërkuar të mblidhen nesër dhe kam kërkuar shkarkimin e drejtorit të stadiumit, për arsyen se ka lejuar fillimin e ndeshjes pa dy gjeneratorë.Përse e ka filluar ndeshjen?Pikërisht kjo është përgjegjësia e drejtorit të stadiumit. Vetëm nga drejtori varej kjo, nuk kishte një inspektim tjetër që të shihte që mungonte gjeneratori?Kjo nuk është ndeshja e parë dhe e vetme që zhvillohet. Sa herë ka pasur aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare ka pasur një komunikim me OSSH dhe ata sjellin një gjenerator. Sot është konstatuar që gjeneratori nuk ka qenë prezent dhe këtu fillon dhe mbaron përgjegjësia. Drejtori i stadiumit, si drejtuesi i kësaj shoqërie aksionere duhet të bënte këtë konstatim, pavarësisht se kompania private i ka kërkuar OSSH-së zyrtarisht marrjen e masave.Përse OSSH-ja nuk e kishte sjellë gjeneratorin?Unë nuk dua të aludoj. Ajo që është deri tani, është një marrëdhënie zyrtare mes kompanisë private dhe OSSH-së, ekziston në letër një plan masash dhe dy grupe pune për të garantuar mbarëvajtjen dhe gjërat nuk kanë funksionuar. Unë këtu shoh një mungesë përgjegjësie që mund të shkojë deri në sabotim. çfarë ndodhi pas një ore e 30 minuta?Sollën transformator tjetër. Presidenti i Realit e priti shumë qetësisht, alarmi ishte në anën tonë. Vetë presidenti u shpreh që janë ngjarje që kanë ndodhur dhe herë të tjera. Prapaskenat në errësirë, kur Reali u izolua në dhomaJetmir Halilaj Ishte ora 18:58 minuta, kur Ronaldo sapo ishte kthyer në fushë, pas pjesës së parë ku nuk iu desh të sforcohej edhe aq shumë. Bëri disa kërcime për nxehje dhe nisi një sprint drejt portës, por më pas e gjeti veten në errësirë. Aty për aty të gjithë lojtarët e Realit u grumbulluan me njëri-tjetrin afër mesit të fushës. Fillimisht ata, por edhe të gjithë të tjerët në stadium, menduan se mos kjo ishte pjesë e skenarit. Në fillim të gjithë po prisnin dhe menduan më të keqen, por spikeri bëri me dije se kjo ishte një surprizë. Lojtarët e Realit pritën për rreth dy minuta në fushë dhe kur ata u larguan, atëherë ishte i panevojshëm zëri i spikerit, për të thënë se bëhej fjalë për një problem të vogël. Stadiumi për një moment mori pamjen e një rrethi të mbushur me shkëndija, pasi blicet e aparateve ishin të panumërt. Më pas heshtje. Të gjithë njerëzit e tribunës Vip u larguan dhe u futën në holl. Më kot u munduan tifozët disa herë në kor që të preknin në sedër drejtuesit e stadiumit, apo mirëmbajtësit e sektorit elektrik të impiantit kryesor në vend.Spanjollët Florentino Perez dukej më i qetë nga gjithë pjesëtarët e tjerë të stafit madrilen. Ishte pikërisht ai, presidenti i skuadrës, që nuk lejoi që ekipi të largohej nga stadiumi pa u zhvilluar pjesa e dytë. Gjithë stafi i Realit qëndroi në këmbë në lokalin poshtë stadiumit, gjatë gjithë kohës që munguan dritat. Fakti që në dhomat e zhveshjeve dhe në ambientet e brendshme të stadiumit kishte energji, i bënte ata të ndiheshin më të qetë. Ndërkaq, hyrja për në dhomat e zhveshjes së lojtarëve madrilenë ishte blinduar me tre radhë truprojash. Presidenti i Realit, Perez, dukej më i qetë se të gjithë të tjerët, por jo Valdano, drejtori sportiv i klubit, i cili fiks pas 15 minutash kërkoi që skuadra të largohej dhe ta linte ndeshjen në mes. Ai e argumentoi kërkesën e tij me faktin se nëse kalonte më shumë kohë, lojtarëve të Realit do t’u duhej të bënin sërish nxehje dhe kjo mund t’u sillte probleme. Drejtuesit e klubit të Gramozit dhe presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi u tregua i gatshëm për të bashkëpunuar. Ai u sqaroi spanjollëve se po bëhej gjithçka për të ndrequr defektin. Valdano nga ana tjetër këmbënguli sërish duke i sugjeruar Perezit që skuadra të largohej. Ky i fundit këmbënguli nga ana e tij deri në fund, duke i thënë se do të prisnin edhe pak. Gjatë gjithë këtij intervali kohe, pjesëtarë të klubit spanjollë shkonin në dhomat e zhveshjes dhe u komunikonin lojtarëve të Realit të Madridit, të cilët ishin izoluar aty, që të mos merakoseshin sepse dritat do të vinin shumë shpejt. Vetëm pesë minuta para se të rikthehej energjia elektrike te stadiumi, ishte sërish drejtori sportiv i klubit, Valdano, ai që tha se u kaluan të gjitha afatet. Këtë herë nuk pati asnjë që t’i kthente përgjigje. Në pritje e sipër, ku të gjithë ngrinin supet, lajmi se erdhën dritat u mor vetëm nga britma në kor e tifozëve. Drejtuesit e Realit dhe ata të Gramozit u kthyen sërish në tribunë, për të parë pjesën e dytë. Ndërkaq, një pjesë e mirë e tifozëve, të cilët edhe për shkak të zërave që u përhapën se lojtarët e Realit ishin larguar, kishin vendosur ta braktisnin stadiumin. Gjithsesi u deshën vetëm pak minuta që ata të riktheheshin në impiant, qoftë edhe për të parë reagimin e yjeve të planetit, pas fenomenit (ndërprerja e dritave), të cilin shqiptarët e kanë vuajtur prej vitesh.skeda e ndeshjesGramozi – Real Madrid    1-2Real: Dudek, Metzelder, S.Ramos (Arbeloa 46’), Gago, Marselo (Diarra 82’), Granero, Garai (Albiol 46’), Kaka (Benzema 46’), K.Ronaldo, Guti, Raul. Trajner: Manuel PelegriniGramozi: Shehi (Ametlli 46’), Kukaj (Rexhepin 79’), Dragusha (Peçi 46’), Vrapi (Xhyra 46’), Semina (Hoti 72’), Babaj (Olivera 57’), Lila (Groshevski 46’), Devolli (Shaqiri 46’, Bajollari 78’), Muka (Ngjela 46’), D.Xhafaj (Lena 46’), Do Santos (Sadiku 66’). Trajner: Agim CanajShënues: Xhafaj 2’ / Kaka 37’, Benzema 80’ Gjyqtarë: S.Jareci, G.Qirici, A.Pregja (Tiranë)Kartonë të verdhë: GutiKaka e Benzema shuajnë shkëndijën e Xhafajt2’ Shpërthen “Qemal Stafa”, shënon Gramozi. Pas një aksioni të rrjedhshëm, Babaj jep një top nga e djathta e sulmit për Do Santos, që lëviz mirë deri në afërsi të zonës dhe më pas kroson, duke gjetur të pambuluar Xhafën. Ky i fundit godet me kokë dhe shënon, 1-0. 37’ Ronaldo lëviz mirë brenda zonës dhe kroson shkurt për Kakanë, që nuk e ka të vështirë të shënojë, pas hedhjes me kokë afër Shehit, 1-1.80’ Guti lihet i lirë nga mbrojtja kolonjare dhe në afërsi të zonës kroson për Benzemanë. Sulmuesi francez, përballë Ametlliut nuk fal, duke çuar topin direkt në rrjetë, pas goditjes me të djathtën, 1-2.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›