E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkonte në shkollë, aksidentohet 7-vjeçarja

 BERAT - Aksidentohet rëndë 7-vjeçarja, teksa po shkonte në shkollë me babanë e saj. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 08:00, në vendin e quajtur "Qendra e fshatit", në Kutalli. Një furgon me pasagjerë, që po udhëtonte drejt Beratit, ka dalë papritmas nga rruga duke marrë zvarrë për disa metra vogëlushen E.Pilo. Për rrjedhojë, vajza pësoi dëmtime të rënda duke iu rrezikuar edhe jeta. Sipas burimeve spitalore, 7-vjeçares i janë thyer kockat e të dy këmbëve pasi mjeti i ka kaluar përsipër. Sipas policisë, furgoni me targa të Beratit, i cili drejtohej nga shtetasi Fatmir Protopapa, 36 vjeç, banues në lagjen "Dëshmorët Kombit" të qytetit, po kthehej nga Fieri me pasagjerë. Por 12 kilometra para se të mbërrinte në Berat, mjeti ka dalë nga rruga duke përfshirë në aksident fëmijën 7 vjeçe, e cila ishte bashkë me të atin. Kur ky i fundit ka parë që e bija ishte thuajse e masakruar dhe me këmbë gati të këputura, i është vërsulur drejtuesit të furgonit në shenjë hakmarrjeje, duke i thyer xhamat e mjetit. Menjëherë kanë ndërhyrë pasagjerët e tjerë, të cilët kanë nisur dhe të lënduarën me urgjencë për në spitalin e Beratit. Por mjekët vendosën ta dërgojnë në Tiranë, për një trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak, pasi gjendja e fëmijës paraqitej mjaft e rëndë. Në vendngjarje mbërriti edhe një grup hetimor dhe shoqëruan drejtuesin e furgonit, ndërsa u morën në pyetje dëshmitarët. Dyshohet se një tentativë për të parakaluar në drejtim të kundërt ka shkaktuar dhe fatkeqësinë për familjen Pilo.                  d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›