E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimi i bizneseve, debat për paratë e emigrantëve

 Nertila MahoKomisioni i Ekonomisë miratoi dje mes debatesh ndryshimet e propozuara në  projektligjin "Për tatimin mbi të ardhurat". Evitimi i dytatueshmërisë, përcaktimi nëse ky i fundit do të jetë vetëm në vlerë "monetare" apo "në të ardhur të çdo lloj forme" si dhe tatimi i të ardhurave të investitorëve të rinj dhe atyre ekzistues kur bëjnë shtesë kapitali kanë qenë pikat ku është përqendruar debati. Deputeti Florion Mima i cili ka qenë pro këtij projektligji u shpreh se me këtë ndryshim po kërkohet që të mbyllet një gropë që mund të keqpërdoret. çështja e tatimit mbi të ardhurat monetare është parë edhe në aspektin kur këto të ardhura mund të futen si asete, për të evituar tatueshmërinë dhe në këtë pikë është propozuar që termi shoqërues që përkufizon të ardhurat e tatueshme të jetë  "të çdo lloji". Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave shpjegoi dje se ligji i tatimit mbi të ardhurat i shtrin veprimet e tij për të gjitha të ardhurat të cilat janë të patatuara më parë në Republikën e Shqipërisë, dhe e dyta për të gjitha të ardhurat që injektohen si shtim kapitali nga burime jashtë shoqërisë të cilat janë të patatuara dhe nga burime, origjina e të cilave është e panjohur. "Janë dhënë raste që ndodhin rëndom në aktivitete dhe që vihen re nga administrata tatimore ku shoqëri të ndryshme në mes të vitit bëjnë shtime kapitali nga burime, origjina e të cilave është e panjohur dhe e patatuar" tha përfaqësuesja e financave. Të ardhurat e emigrantëve që duan të investojnë në vend janë kthyer gjithashtu në një pikë kyçe gjatë diskutimit të projektligjit në Komisionin e Ekonomisë. Kështu sipas deputetit Mima në rastet kur të ardhurat monetare vijnë në Shqipëri nga emigrantët pavarësisht se ata kanë paguar taksat në vendin ku është burimi i këtyre të ardhurave, në momentin që shkojnë për shtim kapitali në Shqipëri tatohen me 10%. "Ngërçi" në këtë projektligj duket se ka qenë "shtimi i kapitalit" dhe "investim kapitali fillestar". Deputeti Igli Cara u shpreh se është pa kuptim fakti që kur bëhet një investim kapitali fillestar nuk aplikohet 10%, ndërsa nëse bën një shtim kapitali me këto të ardhura atëherë tatohesh. "Ju me këtë synoni që të hapen firmat por të mos zgjerohen. Le të marrim si shembull faktin që unë kam kapitalin 1 milionë euro dhe dua ta çoj 2 milionë euro. Ju më thoni që nëse e çoj 2 milion do paguaj 100 mijë euro ndërsa nëse bëj investim fillestar nuk do paguaj. Kjo nuk është e leverdishme, sepse nuk përkrah politikën e rritjes së investimit. Me ketë, gjithë shoqëritë do t'i bëjmë copëza të vogla, të cilat nuk do të bëhen asnjëherë potenciale me kapitale të mëdha" u shpreh ai duke shtuar se kjo pikë duhet rishikuar. Përsa i përket mënyrës se si do bëhet tatimi nga Ministria e Financave u tha se është lënë në nenin 1, një pikë e cila do të plotësohet përmes një udhëzimi të ministrit. Në fund anëtarët e Komisionit të Ekonomisë kanë votuar unanimisht për miratimin e këtij projektligji me disa rishikime.Centrali, ngrihet Agjencia BërthamoreQeveria ngre Agjencinë Kombëtare Bërthamore, duke i hapur rrugën hartimit të infrastrukturës për ndërtimin e centralit në vend. Pas qëndrimit të Qeverisë shqiptare për ndërtimin e një centrali, është miratuar dje me propozim të Ministrit të Shtetit baza ligjore e institucionit përkatës. "Këshilli i Ministrave vendosi Krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore (më poshtë AKOB), si institucion qendror në varësi të Kryeministrit, me statusin e personit juridik publik. AKOB-i e ka selinë në Tiranë dhe e zhvillon veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës të Shqipërisë", thuhet në vendimin e qeverisë. Detyrë e Agjencisë është ngritja dhe mirëfunksionimi i infrastrukturës të nevojshme, në mbështetje të programit kombëtar bërthamor. "Njohja e popullatës dhe e grupeve të interesit me programin bërthamor, gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të tij. Vlerësimi i zhvillimit, sipas planifikimit dhe parashikimit të fazave të ndryshme të programit bërthamor", janë disa nga objektivat e Agjencisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›