E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi i ish-mësueses, një endacak

 FIER - Arrestohet autori i vrasjes së ish-mësueses 70-vjeçare, Myrvete Abilaj. "Më shante dhe më zinte edhe vendin ku flija unë". Kështu është shprehur në polici pas arrestimit 39-vjeçari Fabian çelniku, i cili ashtu sikurse edhe e moshuara, jetonte si endacak. "Ish-mësuesja nga lagja "Apolonia" në qytetin e Fierit, Myrvete Abilaj është vrarë me thikë nga Fabian çelniku, person ky me probleme të theksuara mendore", bëri të ditur policia. Pasi u gjet pa jetë 70-vjeçarja, blutë shoqëruan mbi 30 persona të dyshuar si autorë, shumica e të cilëve ishin endacakë ose persona me probleme të shëndetit mendor. Sipas burimeve, Fabian çelniku pranoi krimin e kryer prej tij. Ai jetonte në disa qoshe të qytetit, duke lypur nëpër rrugë. "Ajo më fyente dhe më kërcënonte. Më shante dhe më thoshte do të të vras. Shumë herë më zinte edhe vendin ku unë flija", mësohet të ketë deponuar autori i vrasjes. Ai u gjet në vendin ku flinte zakonisht, pranë lagjes "29 nëntori" të qytetit. Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me dashje, pasi ka goditur disa herë me thikë Myrvete Abilajn. Mësohet se çelniku ka qenë i dënuar pesë vite më parë nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Fier me dy ditë burg, konvertuar kjo për mospagesë të gjobës prej 10 mijë lekësh për veprën penale të kundërshtimit të punonjësit të policisë.             m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›