E Shtunë, 31 Tetor 2026

I penduari, nuk ka hetim për kërcënimin e familjes

 Policia e Shtetit ka rritur masat e sigurisë për familjarët e të penduarit Adriatik Coli, pas denoncimit të tyre në prokur-ori, se janë kërcënuar nga persona ende të panjohur. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë ankesën e shtetasit Sh.C i cili ka thënë se katër ditë më parë është kanosur përmes telefonit. Por sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, organi i akuzës ka vendosur të mos fillojë procedim penal në lidhje me këtë çështje për mungesë të elementëve të veprës penale. Të dhënat telefonike mbi kërcënimet e denoncuara, janë duke u verifikuar, ndërkohë që shërbimet e policisë që ruajnë të afërmit e Adriatik Colit janë përforcuar dukshëm. Ata mbahen në një vend sekret ndërsa shërbimet e policisë mbikëqyrin dhe kontrollojnë çdo lëvizje të tyre. Pak ditë më parë, sipas policisë, njëri nga familjarët e Adriatik Colit ka dalë nga vendstrehimi dhe është paraqitur në Prokurori ku në takim me zv.drejtuesin e Krimeve të Rënda ka paraqitur ankesën e tij. Ai ka thënë se ka marrë kërcënime për shkak të deklarimeve që ka dhënë Ardiatik Coli në gjyqin e Bandës së Durrësit. Sipas shtetasit Sh.C, kërcënimet janë bërë me anë të telefonit ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda jo zyrtarisht deklaron se marrëveshja për sigurimin e jetës po zbatohet sipas ligjit. Burimet nga ky institucion thanë se çdo informacion në lidhje me këtë çështje konsiderohet sekret por marrëveshja është zbatuar dhe po zbatohet sipas ligjit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Adriatik Coli ka marrë statusin e të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë në vitin 2007. Ai dëshmoi mbi një sërë krimesh të rënda të kryera nga anëtarët e Bandës si dhe pranoi krimet ku kishte marrë pjesë vetë. Më pas ai mori statusin dhe sipas ligjit, ai personalisht dhe familja e tij janë nën mbrojtjen e Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve në Ministrinë e Brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›