E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biblioteka Kombëtare në rrjetin evropian

 

Lexuesi shqiptar mund të shfrytëzojë përmes internetit 48 biblioteka evropiane, ndërsa pasuritë e Bibliotekës sonë Kombëtare do të shfrytëzohen nga të interesuar në gjithë Evropën. U nënshkrua këto ditë Memorandumi i Mirëkuptimit mes Konferencës së Bibliotekave Kombëtare të Europës, të përfaqësuar nga Dr. Elisabeth Niggermann dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Dr. Aurel Plasari, për përfshirjen me statusin e partnerit të plotë të BKSh në Bibliotekën Europiane. Biblioteka Europiane është një institucion i ri bashkëkohor, i themeluar si nismë e Konferencës së Bibliotekave Kombëtare Europiane, që tanimë u ofron lexuesve internetistë shërbim falas dhe qasje në 48 biblioteka kombëtare dhe në 20 gjuhë. Burimet e ofruara prej saj janë dixhitale ose bibliografike (libra, postera, harta, regjistrime zanore, video etj.). Në ditën e sotme Biblioteka Europiane u jep qasje 150 milionë njësive bibliotekare. Hyrjet e koleksioneve dixhitale të referencës janë gjithnjë në rritje. Cilësia dhe mirëfunksionimi garantohen nga 48 biblioteka kombëtare të Europës, numri i të cilave vjen duke u shtuar. Me nënshkrimin e këtij memorandumi Biblioteka Kombëtare, nga ana e saj, ka marrë përsipër të integrojë bazën e të dhënave të veta, si edhe informacionin dixhital, brenda muajit dhjetor të këtij viti, duke mundësuar kështu qasjen përmes rrjetin europian në burimet albanologjike, si dhe në gjuhën shqipe, të BKSh.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›