Korrupsioni, lirohet mjeku Nelaj
Fatos Mahmutaj
Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun Ardian Nelaj, i arrestuar katër ditë më parë nën akuzën e “korrupsionit”. Dje para gjyqtarit të gatshëm të kësaj jave në gjykatën e kryeqytetit, prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake pohoi se 38-vjeçari Nelaj u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Standardi i Garantuar”, i finalizuar nga Seksioni Kundër Korrupsionit në Sektorin Kundër Krimit Financiar në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Njësinë e Task-Forcës në prokurori. Përfaqësuesi i akuzës pohoi gjithashtu se në ngarkim të mjekut institucioni i prokurorisë kishte nisur procedimin penal, pasi dyshohej për konsumim të veprës penale “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas prokurorisë, falë metodave speciale të hetimit ishte konkluduar se Nelaj, me profesionin mjek kirurg, me detyrë Shefi i Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë, dyshohet se përfitonte para, duke iu kërkuar pacientëve të ndryshëm, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale. Ndërhyrjet kirurgjikale Nelaj i zhvillonte në sallën e Urgjencës të Spitalit numër dy në Tiranë, ku dhe u arrestua në flagrancë ndërsa kishte marrë një shumë të hollash. Prokurori pohoi se në momentin e arrestimit, organi i akuzës kishte dyshime, në sajë të informacioneve operative, se mjeku Nelaj u kërkonte ryshfet të afërmve të pacientëve, shumë e cila shpeshherë shkon deri në 20 mijë lekë të reja për operacion. Ndërkohë, sipas njoftimit zyrtar të policisë së kryeqytetit, pas arrestimit të mjekut atij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shumë prej 545 mijë lekësh, 760 euro dhe 100 dollarë. Por pas hetimeve paraprake prokurori pohoi se kishte qenë e pamundur të vërtetohet se mjeku kishte bërë ndonjë pakt të mëparshëm me familjarët e pacientit për t’iu marrë para pas operacionit. Kjo ka bërë që të dyshohet për një ryshfet që ata ia kanë dhënë mjekut me dëshirë, të nisur ndoshta nga fakti që operacioni i të afërmit të tyre përfundoi me sukses. Pas kësaj, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës vendosjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun 38 vjeçar, kohë gjatë se cilës pritet të sqarohet çështja. Ndërsa vetë i pandehuri dhe dy avokatët e tij pohuan se Nelaj njihej si një nga kirurgët më të mirë në kryeqytet dhe se arrestimi i tij kryhej ndoshta për shkak të konkurrencës. Kurse vetë i pandehuri pohoi se kishte punuar me profesionalizëm dhe se nuk i kishte kërkuar askujt para në këmbim të operacioneve mjekësore. Pas kësaj avokatët dhe vetë i pandehuri i kërkuan gjykatës heqjen e masës së sigurisë, ose një masë më të lehtë nga ajo e kërkuar nga prokuroria, në mënyrë që të mos pengonin atë në kryerjen e detyrës. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve dhe administroi provat shkresore të paraqitura nga prokuroria, pas hetimeve paraprake gjykata vendosi “arrest shtëpie” për mjekun.