Kreu i hekurudhave: Banesat afër shinave do të shemben
DURRES - Banesat afër shinave të trenit nuk do të përfitojnë nga legalizimi masiv. Çdo shtëpi që është ndërtuar në kundërshtim me kodin hekurudhor në një të ardhme të afërt do të shembet. Kreu i Hekurudhave Zamir Ramadani, bëri të ditur dje se 60 shtëpi të ngritura pranë shinave nuk do të legalizohen. Një grup i posaçëm inspektorësh ka nisur punën përgjatë 640 km lineare të hekurudhës, për të skeduar banesat e ngritura në kundërshtim me ligjin. “Ka gjasa që lista e 60 shtëpive të zmadhohet me të tjera, pasi ky proces verifikimi nuk ka përfunduar ende”, tha Ramadani. Ai shtoi se mosmarrja e tapive dhe më pas shembja e shtëpive do të shtojnë me afro 500 vetë numrin e të pastrehëve në Shqipëri, por banorët duhet ta kuptojnë se ky akt bëhet për ruajtjen e jetës së tyre. “Nuk do të ketë legalizim pa lejen e Drejtorisë së hekurudhave. Kjo gjë është e prerë, pasi janë distancat ato që garantojnë jetët e pasagjerit në tren dhe të banorit pranë shinave”, u shpreh ai. Shtëpi në kundërshtim me kodin hekurudhor (më afër se 12 metra nga shinat) janë ngritur kryesisht në rrethinat e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit dhe Vlorës. o.u